Vendosni fjalën kyçe....

Nis puna për zbulimin e plotë të Amfiteatrit të Durrësit, banesat e prekura do shpronësohen nga shteti


Ministria e Kulturës mbështetur nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka nisur punën për zbulimin e plotë të Amfiteatrit të Durrësit, pas vendimit të qeverisë për shpronësimin e banorëve në zonën rreth tij.

“Ka ardhur një kompani që po bën studimin gjeologjik të shtresave nëntokësore”, tha drejtori i monumenteve, Alban Ramohitaj.

Aktualisht në terren ndodhen gjeologët e kompanisë së kontraktuar nga Ministria e Kulturës të cilët po kryejnë studimin e formacionit të nëntokës deri në 30 m thellësi për të përcaktuar raportet ndërmjet objekteve arkeologjike me nëntokën. Mbi bazën e kësaj harte, do të nisin gërmimet nga arkeologët për të zbuluar plotësisht Amfiteatrin.

Edhe 6 ditë të tjera do qëndrojnë gjeologët dhe pasi të mbarojë studimi gjeologjik do të vijnë arkeologët për të bërë gërmime në Arenë. Ata do të kenë më të qartë se deri ku do të shkojnë gërmimet për zbulimin e plotë të Amfiteatrit”, shpjegon Ramohitaj.

Për realizimin e projektit “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i Parkut Arkeologjik Durrës” do të shemben 11 shtëpi brenda 3 muajsh. Një fond prej 89 milionë lekësh është vënë në dispozicion për shpronësimin e pronarëve.