Kina të enjten i kërkoi SHBA-së të shpjegonte se çfarë hapash po ndërmerrte Uashingtoni për t’u marrë me krizën bankare në vend, sipas AA.
“Shpresojmë që SHBA-ja të rrisë transparencën dhe të sigurojë qartësi për madhësinë e saktë të rrezikut, masat e reagimit dhe mënyrat për të minimizuar përhapjen e tij”, u tha gazetarëve në Pekin Wang Wenbin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës. “Kjo është një përgjegjësi dhe ajo që pritet nga SHBA.”
Silvergate Bank, Silicon Valley Bank (SVB), Signature Bank dhe First Republic Bank janë zhvlerësuar brenda disa javësh, duke shkaktuar panik për Wall Street dhe investitorët, dhe veçanërisht depozituesit.
“Rënia e SVB ka dërguar valë tronditëse në të gjithë tregun financiar global,” tha Wang, sipas ministrisë.
“Ne i nxisim SHBA-të të miratojnë një politikë makroekonomike të përgjegjshme, të ndërmarrin hapa të besueshëm për të stabilizuar pritshmëritë e tregut dhe besimin e investitorëve dhe të shmangin ndryshimet radikale të politikave që mund të shkaktojnë efekte serioze dhe të përsërisin historinë e krizës financiare të vitit 2008,” tha Wang
Kryetari i Rezervës Federale të SHBA, Jerome Powell tha të mërkurën se çështjet bankare në SHBA mund të minojnë të gjithë sistemin nëse ato mbeten të pakontrolluara.
“Në dy javët e fundit, janë shfaqur vështirësi serioze në një numër të vogël bankash,” tha ai në një konferencë shtypi në Uashington, DC pas përfundimit të takimit dy-ditor të politikës monetare të Fed.
“Historia ka treguar se problemet e izoluara bankare, nëse lihen të pazgjidhura, mund të minojnë besimin tek bankat e shëndetshme dhe të kërcënojnë aftësinë e sistemit bankar në tërësi për të luajtur rolin e tij jetik në mbështetjen e nevojave për kursime dhe kredi të individëve dhe bizneseve,” tha ai. .