Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina merr 15.6 miliardë dollarë kredi nga FMN-ja


FMN-ja ka arritur një marrëveshje me Ukrainën për t’i dhënë Kievit një hua prej 15.6 miliardë dollarësh, teksa Kievi përpiqet të mbështesë ekonominë përballë pushtimit të të vendit nga Rusia.

Huadhënësi ndërkombëtar njoftoi marrëveshjen të martën pas një serie bisedimesh me autoritetet ukrainase në Varshavë të mbajtura këtë muaj. Duhet ende të miratohet nga bordi i FMN-së, gjë që pritet të ndodhë në javët në vijim, shkruan Financial Times.

Gavin Grey, zyrtari i FMN-së që drejton bisedimet, tha: “Marrëveshja në nivel stafi pasqyron angazhimin e vazhdueshëm të FMN-së për të mbështetur Ukrainën dhe pritet të ndihmojë në mobilizimin e financimit koncensionar në shkallë të gjerë nga donatorët dhe partnerët ndërkombëtarë të Ukrainës gjatë kohëzgjatjes së programit.”

FMN-ja tha se programi do shpaloset në dy faza, ku 12-18 muajt e parë do t’i kushtohen ndërtimit të ‘stabilitetit fiskal, të jashtëm, të çmimeve dhe financiar’. Kjo do përqendrohej në ‘mobilizimin e të ardhurave, ​​rritjen e mbledhjes së taksave si dhe eliminimin e ‘financimit monetar’ dhe në vend të kësaj do të mbështetej në tregjet e borxhit të brendshëm. Ukraina gjithashtu u angazhua për të forcuar kuadrin e saj të qeverisjes dhe kundër korrupsionit, tha FMN.

Faza e dytë e marrëveshjes, e cila do zgjasë katër vjet, është projektuar për të ‘rrënjosur stabilitetin makroekonomik, për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin e hershëm’, teksa Kievi përpiqet të arrijë qëllimin e tij për pranimin në BE.

“Gjatë fazës së dytë, Ukraina do pritet të kthehet në kuadrin e politikave të paraluftës, duke përfshirë një kurs fleksibël të këmbimit dhe një regjim të shënjestruar të inflacionit”, tha FMN.

Janet Yellen, Sekretarja e Thesarit të SHBA-së, e përgëzoi marrëveshjen, e cila konfirmon raportimin e mëparshëm nga Financial Times. Për muaj të tërë, Ukraina dhe shumë nga aleatët e saj kishin kërkuar që FMN-ja t’i ofronte më shumë ndihmë financiare Kievit.

“Një program ambicioz dhe i kushtëzuar në mënyrë të përshtatshme të FMN-së është thelbësor për të mbështetur përpjekjet për reforma të Ukrainës, duke përfshirë forcimin e qeverisjes së mirë dhe trajtimin e rreziqeve të korrupsionit dhe ofrimin e mbështetjes financiare shumë të nevojshme,” tha Yellen.

“Do forcojë gjithashtu ndihmën ekonomike që Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë kanë ofruar që po financon shërbimet thelbësore si shkollat, spitalet dhe reaguesit e parë, dhe që po ofron mbështetje jetike për ekonominë ukrainase,” shtoi ajo.