Vendosni fjalën kyçe....

Aksionet e Credit Suisse vazhdojnë të bien


Aksionet e Credit Suisse rifilluan rënien e tyre të premten, duke fshirë fitimet e sesionit të mëparshëm, pasi shqetësimet e investitorëve vazhdojnë të rriten pavarësisht lajmeve për një ndiihmë prej 54 miliardë dollarësh.

Çmimi i aksioneve në bankën e dytë më të madhe të Zvicrës kishte rënë me më shumë se 10% që nga ora 13:10, pas dy ditëve të luhatjeve të mprehta, të cilat panë aksionet e saj të zbresin 20% të enjten pas një rënie prej gati 25% të mërkurën.

Rënia erdhi pasi investitori më i madh i bankës, Banka Kombëtare Saudite (SNB), konfirmoi se nuk do ishte në gjendje të ofronte ndihmë të mëtejshme financiare për shkak të kufijve rregullatorë dhe ligjorë. Trazirat e tregut që përfshiu huadhënësin zviceran u shkaktua nga kolapsi i javës së kaluar të  bankave amerikane.

Të enjten, Credit Suisse njoftoi se do marrë hua deri në 50 miliardë franga zvicerane (53.8 miliardë dollarë) nga banka qendrore e vendit, Banka Kombëtare Zvicerane, për të siguruar investitorët se kishte para të mjaftueshme për të qëndruar në këmbë.

Përveç kredisë, huadhënësi me probleme ribleu miliarda dollarë nga borxhi i tij për të menaxhuar detyrimet dhe shpenzimet e pagesës së interesit. Oferta mbulon 2.5 miliardë dollarë obligacione në dollarë amerikanë dhe 500 milionë euro (529 milionë dollarë) bono euro.

“Nëse depozituesit janë të siguruar mjaftueshëm për të frenuar flukset dalëse gjatë ditëve të ardhshme është një pyetje kyçe, sipas këndvështrimit tonë”, tha për Reuters kreu i strategjisë së investimeve për RBC Wealth Management, Frederique Carrier.

“Ndërsa tregjet janë të lehtësuar nga ndërhyrja e bankës qendrore zvicerane, ndjesia do mbetet shumë e brishtë, veçanërisht pasi investitorët ka të ngjarë të shqetësohen për ndikimin e mundshëm ekonomik të shtrëngimit të politikës monetare agresive nga Banka Qendrore Evropiane (BQE),” shtoi ai.

Credit Suisse me bazë në Cyrih është duke luftuar për t’u rikuperuar nga një varg skandalesh dhe humbjesh që kanë tronditur besimin e investitorëve dhe klientëve. Daljet e klientëve në tremujorin e katërt arritën në mbi 110 miliardë franga zvicerane.

Zyrtarët bankar të paidentifikuar i thanë mediave se klientët e pasur kinezë janë seriozisht të shqetësuar për depozitimin e parave të tyre në bankat zvicerane, pasi Berna hoqi dorë nga politika e saj e asnjanësisë duke ngrirë miliarda në asete ruse si pjesë e sanksioneve.