Vendosni fjalën kyçe....

Spanja do detyrojë kompanitë të punësojnë më shumë gra në pozitat kryesore


Ligjvënësit spanjollë kanë miratuar legjislacionin e ri këtë javë duke e bërë të detyrueshme për bizneset që të sigurojnë që bordet e tyre të korporatave të përfshijnë më shumë drejtuese femra.

Ligji për Përfaqësimin e Barabartë, i cili është miratuar në një mbledhje javore të kabinetit këtë javë, do kërkojë të sigurojë që bordet të kenë të paktën 40% ‘të gjinisë më pak të përfaqësuar’. Do kërkojë gjithashtu nivele të ngjashme barazie në pozitat e larta drejtuese.

Përveç bordeve të drejtorëve të kompanive të mëdha, projektligji përfshin edhe listat zgjedhore dhe bordet drejtuese të shoqatave profesionale.

Rregulloret e reja do zbatohen për të gjitha kompanitë e tregtuara publikisht deri më 1 korrik 2024 dhe për të gjitha bizneset me të paktën 250 punonjës dhe një qarkullim vjetor prej 50 milionë euro (53 milionë dollarë) deri më 30 qershor 2026.

Kuota 40% do zbatohet edhe për kabinetin qeveritar dhe do bëjë të detyrueshme që të gjitha listat zgjedhore të alternojnë kandidatët meshkuj dhe femra. Për momentin, anëtarët femra përbëjnë 44% të Kongresit dhe 39% të Senatit.

“Nëse ata përfaqësojnë gjysmën e shoqërisë, gjysma e fuqisë politike dhe ekonomike duhet të jetë e grave,” tha kryeministri Pedro Sanchez javën e kaluar.

Ligji i ri është i fundit në një seri masash barazie të shpallura nga autoritetet spanjolle. Në dhjetor, qeveria miratoi një projektligj për të drejtat transgjinore së bashku me një ligj pionier që mbulon shëndetin seksual dhe riprodhues, i cili ofron leje me pagesë të financuar nga shteti për gratë që vuajnë nga të përmuajshme të dhimbshme.