Vendosni fjalën kyçe....

Salianji pas seancës: Akti i ekspertimit në  Britani përcaktoi se zëri është ndryshuar, do vijoj luftën për interesin publik


Deputeti i PD-së Ervin Salianji deklaroi pas përfundimit të seancës gjyqësore lidhur me padinë e Agron Xhafajt, se akti i ekspertimit në Britaninë e Madhe vërtetoi qartë se zëri në audiopërgjimin e dërguar për ekspertizë ishte zëvendësuar.

Ai theksoi se ndodhej në gjyq vetëm për shkak të denoncimeve të bëra ndaj qeverisë në vend që para saj të dalin trafikantët.

Demokrati tha gjithashtu se kishte kërkuar në seancë përjashtimin e gjyqtares për anshmëri politike. Në fund Salianji nënvizoi se do luftojë për interesat e publikut dhe se nuk do tërhiqet.

“Akt ekspertimi që është bërë në Britaninë e madhe përcakton qartë që zëri është zëvendësuar. Unë jam sot para gjykatës vetëm për shkak të denoncimeve që kam bërë ndaj qeverisë. Në vend që para drejtësisë të shkojnë trafikantë, jemi ne që denoncojmë në emër të opozitës. Nuk është se është shtyrë ndonjëherë për mungesë tonën. Sot bëra një kërkesë për përjashtim për të anshmërisë të treguar dukshëm nga ana e gjyqtares. Ka shprehur anshmëri politike. Nuk duhet ta kishte marrë fare çështjen dhe jo të përshpejtonte. Nëse do kisha zgjedhur të isha avokat, do merresha me këtë punë. Kam zgjedhur të jem politikan, duke mbrojtur interesat e qytetarëve. Ai ishte i dënuar me 7 vite dhe jetonte i lirë në Shqipëri. Po a ka pandashmëri nga politika dhe drejtësia? Këtë detyrë kam. Nuk kam shqetësim nëse qëndron apo jo gjyqtarja. Kam zgjedhur të luftoj për interesat e publikut, sikur hyja në parcelat me kanabis dhe i denoncoja. Do vazhdoj betejën time për të mbrojtur ata që më kanë votuar. Kështu do jem për një kohë të gjatë.” – tha Salianji.