Vendosni fjalën kyçe....

Rikthehen përplasjet në PD, çfarë ka ndodhur në selinë blu 48 orët e fundit


Që prej së premtes së shkuar në PD është rikthyer ‘lufta civile’. Pas një periudhe deri diku të qetë mes palëve, vendimi i gjykatës së Apelit të premten për t’ia lënë vulën e simbolet e selisë blu grupit të Alibeajt ka nxitur një tjetër batare akuzash e kundërakuzash mes palëve, teksa zgjedhjet vendore të 14 majit po afrohen.

Pas vendimit, Berisha mblodhi grupin parlamentar e Këshillin Kombëtar gjatë fundjavës duke marrë disa vendime të menjëhershme.

Në mbledhjen e së dielës u vendos që kandidatët e Rithemelimit të dalë nga primaret të garojnë në zgjedhjet e 14 majit nën logon e koalicionit Shtëpia e Lirisë, njësoj si bënë në zgjedhjet e 6 marsit 2022.

Megjithatë Berisha i çoi juristët në KQZ për të dorëzuar kërkesën për t’u regjistruar në zgjedhje me logon e simbolet zyrtare të PD-së. Ai shpërtheu në akuza ndaj grupit të Alibeajt duke e quajtur këtë të fundit e ish-kreun Lulzim Basha si bashkëpunëtorë të kryeministrit Rama e kandidatët e prezantuar nga grupi si kandidatë të Ramës duke u bërë thirrje demokratëve që të mos i votojnë.

Po kështu në Këshillin Kombëtar u miratua një rezolutë që përjashton Bashën e Alibeajn nga PD-ja ndërsa u bën thirrje deputetëve që t’i bashkohen ‘Rithemelimit’.

Në krahun tjetër, Alibeaj u shpreh se jo veëm që ndihej po edhe ishte kreu i PD-së. Në kërkesën e dorëzuar të hënën në KQZ për zgjedhjet e 14 majit ranë në sy disa zhvillime interesante.

Ndër dokumentet e dorëzuara kishte një vërtetim gjykate sipas të cilit Lulzim Basha është ende kreu i PD-së, pavarësisht dorëheqjes së tij rreth një vit më parë. Po kështu një tjetër dokument citonte Bashën që si kryetar i PD-së autorizonte Alibeajn  e Gazment Bardhin për procedurat e 14 majit.

Në kampin e Alibeajt, ky i fundit thirri deputetët mbështetës të tij duke autorizuar tre deputetë, Gazment Bardhin, Merita Bakiun e Flamur Hoxhën që të negociojnë me Rithemelimin për të nxjerrë kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit.

Megjithatë nuk ka ende ndonjë përgjigje nga ana e grupit të Berishës nëse këto bisedime do pranohen, duke qenë se në qëndrimin e vetëm zyrtar deri tani nga kampi tjetër, Alibeaj përcaktohet si i papranueshëm pas etiketimit si bashkëpunëtor i Edi Ramës.