Vendosni fjalën kyçe....

Masakra e 3 grave, Komisioni i Ligjeve ‘llogari’ ILD, KLGJ dhe policisë për Dan Hutrën


 

Sot Komisioni i Ligjeve  iu drejtua me një shkresë Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë, duke i kërkuar informacion për masat e e marra ndaj magjistratëve që kanë shqyrtuar çështjet ndaj autorit të krimeve, Dan Hutrës, autorin e masakrimit të 3 grave dhe plagosjen e 3 të tjerave në Paskuqan, Astir e Kamëz, dy ditë më parë.

Kjo kërkesë ka ardhur pasi Dan Hutra ka qenë person me precedente të rënda penale më parë, i cili endej i lirë.

Një kërkesë e tillë i është dërguar edhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, Ministrisë së Brendshme, asaj të Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit si dhe Burgjeve.

Nga ana tjetër, Bashkisë Tiranë dhe asaj të Kamzës i kërkohet informacion nëse ka referim në mekanizmat e koordinuar te referimit të rasteve të dhunës në familje për autorin dhe masat e marra.

 “Mbi ngjarjet tronditëse të vrasjes dhe plagosjes së grave. Komisioni i Ligjeve i Kuvendit kërkon informacion nga institucionet publike

Pas ngjarjeve tragjike të vrasjes së tre grave dhe plagosjes së tre të tjerave, në fillim të muajit Mars, Kryetarja e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut e Kuvendit, znj. Klotilda Bushka, në funksion të ushtrimit të kompetencës monitoruese të Komisionit për zbatimin e legjislacionit dhe garantimin e respektimit të të drejtave të njeriut, u është drejtuar disa institucioneve publike, duke iu kërkuar informacionet përkatëse me qëllim verifikimin paraprak të situatës.

Kryetarja e Komisionit të Ligjeve, znj. Bushka, i ka kërkuar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, informacion mbi masat e marra për verifikimin e përgjegjësive të mundshme disiplinore të magjistratëve në prokurori e gjykata, ku janë shqyrtuar çështje ndaj autorit të krimeve. Nga Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është kërkuar informacion mbi zbatimin e ligjit nr. 62/2022 “Për Regjistrin Kombëtar të të Dënuarve për Krime Seksuale”.

Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisē së Drejtësisē i kërkohet informacion mbi zbatimin e detyrimeve për krijimin e bazës së të dhënave mbi vendimet gjyqësore për raste të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore, sipas përcaktimeve të Ligjit nr. 9669/2018 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar. Bashkisë Tiranë e Bashkisë Kamëz i kërkohet informacion nëse ka referim në mekanizmat e koordinuar te referimit të rasteve të dhunës në familje sipas detyrimeve ligjore per autorin e krimeve në fjalë dhe masat e marra, nëse ka”, thuhet në vendim.