Vendosni fjalën kyçe....

“Fjalime dhe pankarta”-Tubimi i opozitës përfundon pa incidente


Tubimi i opozitës në sheshin para kryeministrisë ka zgjatur për rreth dy orë.

Ky tubim u mbyll shpejt dhe më shumë folën mesazhet e protagonistëve kryesorë.

Dinamika e tubimit ishte e qetë dhe përfundoi pa incidente.

Ndryshe nga herët e tjera që në përfundim të saj kishte dhe marshim nëpër institucione të tjera këtë herë ajo u mbyll menjëherë pas fjalimit të Sali Berishës.

Fjalim në tubim mbajti edhe Kryetari i Partisë së Lirisë i cili sulmoi Edi Ramën dhe e quajti atë shkatërrues të Partisë Socialiste dhe se kërkon që të marrë peng vulën e Partisë Demokratike.

Ndërkohë nga ana tjetër, Sali Berisha e përdori fjalën e tij më tepër për të sulmuar Ramën dhe për të bërë thirrje që revolucionit të tij t’i bashkohen grupime të ndryshme shoqërore.

Berisha zbatoi atë që tha duke mos përmendur në asnjë moment procesin gjyqësor për vulën dhe mos ndezur reagimin e pjesëmarrësve çka dhe çoi në përfundimin paqësor të protestës.

Këtë herë organizuesit ishin treguar sërish kreativë me komunikimin në tubim, duke përdorur dy manekinë të veshur si të burgosur me fytyrat e Edi Ramës dhe Charles McGonigal.