Vendosni fjalën kyçe....

Dyshohet se mashtruan një shtetas nga Fieri duke i premtuar leje pune në Gjermani, arrestohet 31-vjeçarja dhe e bashkëpunëtorja në Tiranë


Një 31-vjeçare dhe bashkëpunëtorja e saj 25-vjeçare janë arrestuar nga policia në Tiranë pasi dyshohet se mashtruan një shtetas nga Fieri në këmbim të cilit i morën 800 euro duke i premtuar leje pune në Gjermani.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të DVP Fier, pas një hetimi 4-mujor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, në bazë edhe të denoncimeve të marra nga qytetarë të ndryshëm, siguruan prova se një shtetase vijonte të mashtronte përmes pajisjeve elektronike, shtetas të ndryshëm, me qëllim përfitimin, ndonëse ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, po për këtë krim.

Bazuar në këto prova, Policia e Fierit organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Metoda”, në kuadër të të cilit u ndaluan për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim, 2 shtetase banuese në Tiranë, konkretisht:

– V. G.(Z)., 31 vjeçe, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”;

– B. A.(D)., 25 vjeçe.

Nga hetimet ka rezultuar se këto shtetase mashtronin në mënyrë të vazhdueshme qytetarë nga qarqe të ndryshme të vendit, me qëllim përfitimin monetar. Në kuadër të operacionit “Metoda”, 2 shtetaset u vunë në pranga, pasi dyshohet se me anë të mashtrimit dhe duke përdorur dokumente false, kanë përfituar shumën 800 euro, nga një shtetas nga Fieri, me pretendimin se do t’i nxirrnin atij, një leje punësimi në Gjermani.

Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të rasteve të tjera të mashtrimit të kryera nga këto shtetase.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”-thuhet në njoftimin e policisë.