Vendosni fjalën kyçe....

Greqia tre ditë zi pas tragjedisë me 35 viktima nga përplasja e trenave, Begaj, Osmani, Rama e Meta mesazhe ngushëllimi


Qeveria greke vendosi të mërkurën tre ditë zi pas përplasjes më vdekjeprurëse të trenave në historinë e vendit.

Më herët gjatë ditës, zyrtarët thanë se të paktën 36 njerëz u vranë dhe 85 u plagosën kur një tren pasagjerësh që kishte rreth 350 udhëtarë në  bord, duke përfshirë shumë studentë të universitetit që ktheheshin në shtëpi nga pushimet, u përplas me shpejtësi të lartë me një tren mallrash që po afrohej në Greqinë veriore.

Gjatë periudhës së zisë, flamuri grek do valëvitet në gjysmështizë në të gjitha ndërtesat publike, ndërsa të gjitha festimet publike janë anuluar.

Kryeministri Kyriakos Mitsotakis po udhëton për në Larisa ku do të informohet për aksidentin, tha zyra e tij.

Presidenti Begaj, presidentja e Kosovës Osmani, kryeministri Rama e kreu i Partisë së Lirisë Meta kanë ngushëlluar Greqinë për tragjedinë.

“I tronditur nga tragjedia e përplasjes së trenit në Greqinë fqinje! Ngushëllime të sinqerta familjeve të viktimave, ndërsa të mbijetuarve ju uroj shërim të shpejtë. Unë dhe Shqipëria qëndrojmë përkrah me popullin grek” – shkruan Begaj.

“Zemrat tona janë me njerëzit e Greqisë në vijim të aksidentit shkatërrues të trenit dhe humbjes tragjike të jetës. Ne i shtrijmë ngushëllimet tona më të thella për familjet dhe të dashurit e viktimave dhe dëshirojmë një shërim të shpejtë për të dëmtuarit.” – ka shkruar Osmani.

“Sa keq të dëgjosh për humbjen e jetëve dhe shumë të plagosur në aksidentin tragjik të natës së fundit në Greqi! Ndjejmë dhimbjen e fqinjëve tanë të dashur në një orë kaq të rëndë për kombin e tyre dhe i bashkohemi në lutjet e tyre dhe në ngushëllimet për familjet e viktimave” – ka shkruan Rama në Twitter.

“Me hidhërim mësova për tragjedinë në Larisa të Greqisë fqinje dhe mike! Në këto orë dhembje dhe tronditje të thellë, unë dhe Partia e Lirisë u shprehim ngushëllimet më të ndjera familjeve të viktimave dhe lutemi për shërim të shpejtë të të mbijetuarve! Solidaritet të plotë autoriteteve vendore dhe qendrore! Qëndrojmë përkrah me popullin grek!” – shkruan Meta.