Vendosni fjalën kyçe....

Qarkullonin me armë, arrestohen tre persona në Tiranë


Policia ka arrestuar tre persona në Tiranë pasi qarkullonin me armë zjarri pistoletë në automjet.

Policia ka sekuestruar armën e zjarrit pistoletë me krehër me 6 fishekë, një automjet dhe dy mjete të forta (çekiçë).

Në pranga ranë shtetasit K. Y., 35 vjeç, E. M., 41 vjeç, dhe A. N., 32 vjeç, të tre banues në Tiranë

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Almak”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve:

– K. Y., 35 vjeç, E. M., 41 vjeç, dhe A. N., 32 vjeç, të tre banues në Tiranë.

Gjatë operacionit, në rrugën “Muzakët”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin me drejtues shtetasin A. N., dhe pasagjerë shtetasit K. Y., dhe E. M. Në momentin e ndalimit, shtetasi E. M., ka kanosur punonjësit e Policisë. Gjatë kontrollit fizik të shtetasit K. Y., shërbimet e Policisë i kanë gjetur një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak, për të cilën drejtuesi i automjetit, shtetasi A. N., ka dhënë deklaratë të rreme, se arma ishte e tij.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit pistoletë me krehër me 6 fishekë, një automjet, dhe dy mjete të forta (çekiçë), të gjetura gjatë kontrollit të automjetit.

Vijon puna për zbardhjen e qëllimit të mbajtjes së armës së zjarrit dhe sendeve të forta, nga 3 të arrestuarit”-njofton policia.