Vendosni fjalën kyçe....

“Escobar, Kim, Basha e Rama”, Berisha: Biznesmeni s’pranoi të paguante për t’u hequr nga lista e zezë, e kërcënuan


Kreu i PD-së Berisha ka vijuar akuzat e pretenduara lidhur me atë që e ka quajtur grupi Mconigal që sipas tij u ka vënë gjoba disa biznesmenëve shqiptarë për t’u hequr emrin nga lista non-grata.

Ai tha sot se ish-deputeti i PD-së Murrizi ka denoncuar se pas vitit 2019 ka pasur një listë personash në ‘listën e zezë’ dhe janë përgojuar emra duke përmendur të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Gabriel Escobar, ambasadoren amerikan Kim, ish-kreun e PD-së Basha dhe kryeministrin Rama.

Beritha tha se grupi në fjalë provoi t’i vinte gjobë edhe biznesmenit Ylli Ndroqi por ky i fundit sipas Berishës nuk ka pranuar ta paguajë.

Madje sipas Berishës ai e ka denoncuar rastin edhe te drejtësia amerikane. Deklarata e Berishës ka të bëjë me një shkrim të Washington Examiner nga John Schindler, një ish-punonjës i NSA-së i shkarkuar nga detyra pasi i dërgoi foto të penisit të tij një qytetareje.

Në shkrimin e tij Schindler theksonte se ajo që shkruante ai duhej vërtetuar.

Ndërkohë në një shkrim të dytë, Schindler pohonte se informacionet qe ai jepte ishin të paverifikuara dhe se ai informohej me burime nga Shqipëria, që me gjasë janë burime të lidhura me vetë Berishën.

“E vërteta është se historia e gjobave nuk është vetëm veprim i McGonigal dhe famëzinjve të tij, Duçka dhe Neza. Historia e gjobave është më e gjerë. Siç denoncoi haptaz dhe me guxim ish-deputeti Myslim Murrizi, pas vitit 2019 flitej për lista me të ‘blacklistuar’ dhe përgojoheshin emra. Gabriel Escobar, Yuri Kim, Lulzim Basha, Edi Rama. Kjo është e vërteta e pamohueshme. Ky realitet jo vetëm që nuk u përgënjeshtruar nga Yuri Kim, por ajo thërriste biznesmenë dhe i kërcënonte në ambasadë me blacklistim nëse mbështesin Sali Berishën. Një lukuni e tërë u lëshua mbi biznesmenët shqiptarë për t’i gjobitur ata në mënyrën më antinjerëzore. Vizat, i përdori në këtë funksion Yuri Kim. Edhe njëherë i bëj thirrje Inspektorit të Përgjithshëm të DASH, të hetojë veprimtarinë e saj dhe të personave që janë marrë me vizat. I bëj thirrje FBI-së të hetojë në çdo detaj dosjen shqiptare.

Një takimin tonë para një jave, ju informova se ekipi McGonigal, tradhtari i kombit amerikane, mafiozët Dorian Duçka dhe Agron Neza kalonin nga një lokal e hotel, duke bërë gjahun e biznesmenëve për t’i rrjepur dhe për t’ju zhvatur atyre miliona euro. Jam këtu sot për t’u deklaruar shqiptarëve se njëri nga këta biznesmenë, të cilit i kanë kërkuar në maj të vitit 2022 miliona  dollarë për ta hequr nga lista e zezë, është sipërmarrësi i njohur, është drejtuesi i rrjetit televiziv Ora News,Ylli Ndroqi. Ata jo vetëm i kanë kërkuar këtij sipërmarrësi miliona, por kundërshtimi i tij në prani të dëshmitarëve, që t’ua paguajë atë, është shoqëruar me kërcënime të mëvonshme nga ana e këtyre dy mafiozëve. Unë e përgëzoj zotin Ylli Ndroqi për qëndrimin që ai ka mbajtur.

Këtë denoncim Ylli Ndroqi e ka bërë dhe pranë autoriteteve amerikane. Por, Ylli Ndroqi dhe jo vetëm ai, janë dëshmitarë të skenave të shëmtuara se këta çakej iu merrnin dhe kërcënonin biznesmenë të tjerë, në prani të Taulant Ballës. Gjobëvënësit qarkullonin me lejen e kryeministrit, dhe për ‘SKAP’ asgjë s’ka ndodhur. E vërteta është që historia e gjobave nuk është veprim vetëm i McGonigal dhe Duçka e Neza. Historia e gjobave është më e gjerë. I bëj thirrje FBI të hetojë në çdo detaj dosjen shqiptare, e cila është një nga dosjet më të shëmtuara të botës. Implikimet e padiskutueshme, terrenin e krijuar në funksion të kësaj gjobëvënieje, sepse në këtë mënyrë do mund të ndëshkohen të gjithë përgjegjësit. Njëri tregonte distinktivin, tjetri me krenari të madhe, ambasadoren si followers të tij. Uroj që ky problem të hetohet. Ne do kontribuojmë, po përpiqemi. Komisioni Parlamentar hetimor do krijohet, do apo s’do Edi Rama.” – tha Berisha.