Vendosni fjalën kyçe....

Peleshi: 30 milionë euro hua koncesionare nga Italia për emergjencat civile


Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, pas përfundimit të mbledhjes së Këshillit të Ministrave, bëri një dalje për mediat ku bëri me dije se dikasteri që drejton ka ndërmarrë 4 projektvendime, 2 prej të cilëve lidhen me fushën e pjesëmarrjes së forcave të armatosura shqiptare në operacione ndërkombëtare dhe 2 të tjerë për menaxhimin e fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile.

Sa i takon operacioneve ndërkombëtare ku forcat e armatosura shqiptare do marrin pjesë, Peleshi tha se bëhej fjalë për operacione të NATO-s në detin Mesdhe dhe në Egjipt.

 “4 projekt vendime të iniciuara nga ministria e Mbrojtjes janë miratuar sot. Dy prej tyre ishin miratimi për pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare, konkretisht pjesëmarrja e forcave të armatosura e të Shqipërisë  në operacionin e NATO-së në Mesdhe të quajtur ‘Fokops’ ku ne do marrim pjesë me një anije me 21 anëtarë të forcave të armatosura. Po ashtu edhe në një operacion ndërkombëtar në Egjipt, ku do marrin pjesë 3 oficerë shqiptarë“-tha ministri i Mbrojtjes.

Ndërsa për menaxhimin e fatkeqësive natyrore, Peleshi tha se është bërë identifikimi i 6 risqeve dhe është miratuar strategjia për adresimin e problemeve që mund të shkaktojnë. Vendim i rëndësishëm është edhe miratimi i marrëveshjes për 30 milionë euro si hua koncesionare nga Italia si mbështetje për sistemin e emergjencave civile.

Projekt vendimet e tjera lidhen me menaxhimin e fatkeqësive natyrore. Kemi identifikuar 6 risqe, tërmetet, rrëshqitjet e tokës, përmbytjet, epidemitë apo pandemitë, rreziqet teknologjike. Kemi miratuar strategjinë sesi do t’i adresojmë në mënyrë aktive duke i dhënë më shumë theks parandalimit të fatkeqësive natyrore dhe emergjencave civile të shkaktuara nga këto risqe. Strategjia parashikon si do të shpërndahen forcat në parandalimin e risqeve ekzistuese dhe potenciale. Projektvendimi i katërt, është marrëveshja mes qeverisë së Shqipërisë dhe Italisë për mbështetjen e gjithë sistemit të emergjencave civile me një hua koncesionare prej më shumë se 30 milionë euro. Jemi gati për të kaluar në ratifikimin e kësaj marrëveshje në Këshillin e Ministrave”-tha Peleshi.