Vendosni fjalën kyçe....

Frikë se përdoren nga Rusia për të shkaktuar trazira, Moldavia kthen boksierët nga Mali i Zi


Policia e Moldavisë ka kthyer nga aeroporti i Kishinjevit boksierët e Budvës, të cilët kishin shkuar atje për të marrë pjesë në turneun ndërkombëtar “Pavel LUSCESCHII”, është bërë e ditur në faqen zyrtare të klubit në Facebook.

Siç u njoftua, pesë boksierë me një trajner shkuan në turneun, i cili zhvillohet nga 15 deri më 17 shkurt në Moldavi.

“Në udhëtimin e sotëm, ekipi ynë ka hasur në një situatë të papritur dhe të pakëndshme. Përkatësisht, në aeroportin e Kishinjevit, policia nuk e ka lejuar ekipin tonë të hyjë në Moldavi dhe nuk ka dhënë një shpjegim specifik. Pas disa orësh pritjeje, atyre iu morën dokumentet dhe u urdhëruan të ktheheshin me aeroplanin e parë”, shkruhet në një njoftim të shkurtër me shpjegimin se boksierët do të kthehen më 15 shkurt me një fluturim në mëngjes për në Stamboll, e më pas një fluturim në mbrëmje për në Podgoricë.

“Për fat të keq, pjesëmarrja e boksierëve tanë në turneun ndërkombëtar përfundoi ende pa filluar”, thuhet në faqen klubit të boksit të Budvës në Facebook.

Presidentja e Moldavisë, Maja Sandu, njoftoi në një konferencë për shtyp, të hënën, më 13 shkurt, se Rusia planifikon të përdorë sabotues të huaj për të rrëzuar udhëheqjen e vendit të saj, për të ndalur anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe ta përdorur këtë në luftën kundër Ukrainës.

Sipas saj, plani përfshin qytetarë të Rusisë, Malit të Zi, Bjellorusisë dhe Serbisë që hyjnë në Moldavi, në mënyrë që të tentojnë të provokojnë protesta, në një përpjekje për të “ndryshuar qeverinë legjitime me një qeveri të paligjshme të kontrolluar nga Federata ruse”.

Në të njëjtën ditë janë kthyer nga Moldavia tifozët e ekipit të futbollit Partizani nga Beogradi.

Policia kufitare i tha shërbimit të Moldavisë të Radios Evropa e Lirë se një vendim i tillë është marrë për shkak se ata nuk i plotësojnë kushtet për kalimin e kufirit shtetëror, pasi “ata nuk mund të arsyetojnë qëllimin e udhëtimit të tyre dhe nuk kanë dokumentet e nevojshme”.

Ambasada e Moldavisë në Rumani, e cila mbulon Serbinë dhe Malin e Zi, nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë, nëse këto ngjarje janë të lidhura me njëra-tjetrën.

Zyrtarët në Beograd dhe Podgoricë i kërkuan Moldavisë sqarime shtesë në lidhje me pretendimet e Sandus për ekzistencën e një plani rus për rrëzimin e udhëheqjes së vendit, ku përfshihen shtetas të Serbisë dhe Malit të Zi, duke deklaruar se nuk kanë informacione të tilla.