Vendosni fjalën kyçe....

SHBA paralajmëron sanksione për subjektet e lidhura me balonën spiune


Shtetet e Bashkuara do të shqyrtojnë mundësinë për vendosjen e sanksioneve ndaj subjekteve të lidhura me ushtrinë kineze, konkretisht me rastin e një balone që dyshohet se Pekini po e shfrytëzonte për përgjim, e që fluturoi javën e kaluar mbi hapësirën ajrore amerikane. Lajmi u njoftua nga një zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit.

Uashingtoni është i bindur se prodhuesi kinez i balonës, që rrëzua nga ushtria amerikane fundjavën e kaluar në oqeanin Atlantik, ka një marrëdhënie të drejtpërdrejtë, me Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Kinës, tha zyrtari i departamentit nëpërmjet një deklarate, përcjell VOA.

FBI-ja, e cila po udhëheq përpjekjet për të analizuar mbetjet e gjetura të balonës, u tregua e kujdesshme në komentet e saj, duke u thënë gazetarëve në një konferencë për shtyp, se kishte marrë vetëm prova të kufizuara fizike dhe nuk kishte ende informacion të mjaftueshëm për të vlerësuar se çfarë aftësish kishte balona kineze.

Është shumë herët për ne në këtë moment dhe provat që janë gjetur dhe sjellë në FBI janë jashtëzakonisht të kufizuara”, tha një zyrtar i byrosë.

Zyrtarët e FBI-së thanë se ata ende nuk kishin qasje në pjesën më të madhe të “ngarkesës” së balonës, pasi pjesa më e madhe e saj vazhdon ende të jetë nën ujë.

Po të enjten, duke folur në një seancë të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat, zëvendës Sekretarja e Shtetit Uendi Sherman tha se incidenti me balonën, është një tjetër shenjë e përpjekjeve të Pekinit për të ndryshuar rendin ndërkombëtar.

Ky akt i papërgjegjshëm shfaqi plotësisht atë që ne e kemi ditur prej kohësh se Republika Popullore e Kinës është bërë më shtypëse brenda dhe më agresive jashtë vendit”, tha zonja Sherman në seancën dëgjimore. Zonja Sherman tha se Uashingtoni do të vazhdojë ta bllokojë Kinën që të përdorë teknologjisë amerikane për të avancuar modernizimin e saj ushtarak.

Megjithatë, zonja Sherman tha se shpresonte se Uashingtoni dhe Pekini do të jenë në gjendje të vazhdojnë të punojnë edhe “në këtë kohë të vështirë” për marrëdhëniet mes tyre, për çështje që përbëjnë shqetësim të përbashkët, sikurse ndryshimet klimatike.

Incidenti me balonën kineze që fluturoi në hapësirën ajrore të Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, shkaktoi zemërim politik në Uashington dhe solli në vëmendje sfidën që paraqet Kina ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.

Kjo çështje u bë shkak që Sekretari i Shtetit Antony Blinken të anulonte një vizitë të planifikuar për në Kinë, vizitë që të dy vendet e shihnin si mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve të tensionuara.

Ligjvënësit demokratë dhe republikanë kanë kritikuan ushtrinë amerikane dhe administratën Biden se kanë dështuar ta rrëzojnë balonën që në momentin e parë kur ajo hyri në hapësirën ajrore të SHBA-së, duke pritur një javë për ta bërë një gjë të tillë.

Forcat Ajrore amerikane e rrëzuan balonën të shtunën në brigjet e Karolinës së Jugut, një javë pasi hyri në hapësirën ajrore amerikane. Ministria e Jashtme e Kinës e cilësoi këtë si një veprim të tepruar duke iu përmbajtur qëndrimit se balona ishte civile dhe po përdorej për mbledhjen e të dhënave shkencore mbi motin.

Të hënën, Shtetet e Bashkuara informuan rreth incidentit me balonën. 150 diplomatë të huaj në Uashington dhe u dërguan informacione të detajuara misioneve të tyre në mbarë botën.