Vendosni fjalën kyçe....

Netanyahu e ofron veten si ndërmjetës në bisedimet Rusi-Ukrainë


Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka sugjeruar se mund të jetë i gatshëm të ndërmjetësojë bisedimet e paqes për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës Rusi-Ukrainë, nëse administrata e presidentit amerikan Joe Biden nuk kundërshton.

“Nëse kërkohet nga të gjitha palët e përfshira, sigurisht që do ta konsideroj.” – tha Netanyahu në një intervistë për CNN.

Netanyahu u kthye në pushtet si lider izraelit në fund të dhjetorit, duke filluar mandatin e tij të gjashtë si kryeministër pas përfundimit të rikthimit të tij të fundit politik.

Ai i tha prezantuesit të CNN, Jake Tapper se atij iu kërkua të shërbente si ndërmjetës në fazat e hershme të konfliktit Rusi-Ukrainë vitin e kaluar, por ai nuk e mori parasysh ofertën sepse ai nuk ishte kryeministër në atë kohë. Ai nuk pranoi të thoshte se kush i kërkoi atij të ndërmjetësonte mes Kievit dhe Moskës.

Një ndihmës i presidentit ukrainas Vladimir Zelensky tha muajin e kaluar se Netanyahu mund të jetë një zgjedhje e mirë si ndërmjetës i paqes.

“Unë nuk kam asnjë dyshim se Netanyahu mund të jetë një ndërmjetës efektiv pasi ai e kupton saktësisht se çfarë janë luftërat moderne dhe cili është thelbi i ndërmjetësimit në këto kushte.” – tha këshilltari presidencial Mikhail Podoliak për i24 News të Izraelit.