Vendosni fjalën kyçe....

REPORTAZH – Historia e studentes që konceptoi logon e UET-së


Deti. Ai i pari, amniotik në universin e krijimit. I mistershmi i thellësive. Ai i shpresës për të gjetur destinacione të reja…

Në studion e saj, bluja përplaset dhe shkrihet, duke krijuar nuanca të tjera. Kobalti, ngjyrë-nafta, bluja prusiane, llullaq, akuamarini, e bruzta, e kaltra, qiellorja dhe… e bardha e dallgëve, që duket sikur del nga ana tjetër e tablosë dhe të tërheq.

“Detin e dashuroj”, thotë piktorja Jona Dividi.

“Ndoshta ka të bëjë me faktin kur kemi qenë në barkun e nënës apo që im atë më ka vënë emrin Jona… janë hipoteza këto”, thotë duke qeshur, ndërsa lidh në mes përparësen e punës, hedh bojëra të njoma në tavaloz dhe i shkon një dorë ca detajeve mbi telajë.

Peshku i madh i profetit biblik, në pikturat e Dividit merr format e anijes, të varkave me rrema e me vela. Shpesh kanë forma tripërmasore, që i japin syrit iluzionin e daljes nga pëlhura e krijimit, drejt deteve të vërteta, por edhe ndjesinë e shpresës.

Sado deti të ngjajë egërshan, mjetet e lundrimit mbi të e zotërojnë, e domestikojnë, bëhen enë sigurie dhe force për t’i dalë mbanë në anën tjetër, sado i paanë të jetë deti…ka gjithnjë një kep, një gji, një vendmbërritje.

Kjo, ngase artistja ka dëshirë ta ndjejë dhe prek krijimin e saj, ashtu si një skulpturë. Përzierja me kast e pikturës dhe e skulpturës është e pamungueshme dhe e dallueshme në pikturat e saj. Katër vitet e Liceut Artistik, “Jordan Misja” i kreu për Skulpturë-Qeramikë.

“Kur isha fëmijë, luaja me baltë poshtë pallatit dhe krijoja skulptura. Ime ëmë i ka ruajtur shumë prej tyre dhe e çuditshme që u kanë rezistuar kohës’, kujton piktorja. Në shtëpinë e prindërve koleksioni i saj i pikturave është i madh. “Kanë ruajtur vizatimet që nga koha e kopshtit”, thotë ajo, duke përmbushur kështu një lloj profecie vetjake apo parashikuar të ardhmen e saj.

Ciklin më të madh të pikturave e ka me blunë, rrëfen.

“Kam luajtur me fundin e detit, relievin, historitë që mund të ndodhin brenda”, thotë ajo. Tabloja më e madhe, një vorbull e errët deti, që zbutet prej së bardhës në disa nuanca dhe jep siguri e mbështetje në ca relieve si ishuj në qendër të saj, e ka punuar ndërsa mbronte diplomën Master, në Universitetin e Prishtinës.

Disa elementë të bashkimit të së bardhës dhe blusë, të ndërmendin të famshmen Dallga e Madhe e Kanagawa-s, por piktura e Jona Dividit ka një fuqi thithëse, po zor se penetruese drejt fundit të tij që mbështillet me fshehtësinë e blusë.

Bluja, ngjyra që rrallë gjendet në natyrë dhe vjen si krijim i lojës së dritës. Ishin egjiptianët të parët që shpikën pigmentin e blusë, për ta përdorur në artet dekorative. Ndodhi rreth viteve 2200 para Krishtit, kur të lashtët morën rërë, gëlqere të bluar e minerale të pasur me bakër si malakiti e azuriti dhe i vunë në temperature të lartë. Kështu lindi ajo që quhet bluja egjiptiane.

E pafundmja, e fshehta, e panjohura, por edhe liria që simbolizon deti… interpretimet mund të jenë të shumta thotë Dividi dhe ato më interesantet gjen se i vijnë nga publiku që i kundron.

“Duket sikur zhyten në det e dalin me ide të tjera’. Deti i saj është edhe deti i nënvetëdijes. Loja me spektrin e dritës është edhe arma e një artisti të arteve pamore. Ndaj rrëfen se në pikturat e saj nuk mungon e verdha. “I jep dritë, i jep shpresë pikturës. Si natyrë jam shumë optimiste. E ndiej veten mirë mes ngjyrave”, pranon.

Ka një cikël ku natyra dhe ngjyrat i ngjajnë një shpërthimi supernova. Rrëfen se i ka krijuar gjatë pan- demisë. E mbyllur në apartament, u sigurua të kishte mjaftue- shëm materiale, si telajë e bojëra për ta përdorur izolimin social si një çast të gjatë krijimi.

“Aq shumë punova, sa nuk kisha më vend brenda apartamentit dhe nisa t’i nxirrja në ballkon. Shihja fqinjët si buzëqeshnin dhe kundronin pikturat. U kthye si një lloj ekspozite e improvizuar’, kujton ajo.

E pakursyer në ng jyra, ku ndryshe nga hijet e blusë, sundimi i së verdhës dhe së gjelbrës së natyrës , ndez vetëtimthi gëzim. Ende nuk ka çelur një ekspozitë me ciklin e pandemisë, rrëfen.

“Por i kam disa ftesa jashtë vendit, për ek- spozitë vetjake”. Cikli i pandemisë, shton, i erdhi si një blic ngjyrash e mbeti po aq. Por edhe cikli i detit, që ndonëse i madh në vëllim krijues, nuk e përkufizon të gjithën.

“Në Akademi merr bazën dhe zhvillohesh si artist, eksperimenton, provon. Vazhdoj me t njëjtin intensitet tek ato kompozime që ndihem mirë”.

Nudoja zë një tjetër vend të rëndësishëm në pikturën e Jona Dividit. I pëlqen anatomia njerëzore, trupi i të dy gjinive, por plastika tek femërore i ngjan më e ëmbël, e natyrshme. Te mashkullorja thotë ajo, vjen më robuste, më e fortë. Katër vite në Akademinë e Arteve studioi Pikturë-Grafikë.

Thotë se do të donte të kishte më shumë kohë për të shijuar të pikturuarit në natyrë. Megjithatë e bën rregullisht përmes veprimtarive që organizon. Nuk është nga ato që e gjeni vetmitare duke hedhur impresionet në pël- hurën që pret të marrë jetë në kavalet, përballë natyrës. Ka organizuar një sërë kolonish arti, me artistë shqiptarë e të huaj.

Një nga të hershmit ishte ai për 100 Vjetorin e Pavarësisë, me artistë shqiptarë nga trevat dhe diaspora. Ishte një kohë kur gjeti bashkëpunimin dhe mbështetjen nga Universiteti Europian i Tiranës. I fundit është ai në kuadrin e Tiranës si Kryeqyteti Europian i Rinisë, për 2022.

Piktorët në koloninë e artit ishin të rinj, kryesisht studentë të arteve pamore, që e vizitonin Shqipërinë për herë të parë. Në Sarandë, orga- nizoi për të dytin vit, Simpoziumin Ndërkombëtar “Saranda Art Days”, me piktorë nga 20 shtete. Disa syresh kishin ardhur nga shtete si Mongolia, Kina, Brazili apo ShBA.

HISTORIA PAS LOGOS SË UET-së

Ishte studente e vitit të fundit, në Akademinë e Arteve, kur më 2006-n, një grup intelektualësh të rinj i kërkuan të krijonte një logo për universitetin që ata kishin në plan të themelonin. “I njihja disa prej tyre dhe i respektoja. Një grup të rinjsh me ideale dhe ishin shembull i mirë. Edhe sot janë shembull po njësoj.

Më thanë se de të ngrinin një universitet. Emri ishte vendosur. Vetëm kaq më duhej dhe nisa të konceptoja, diçka që i shkonte për shtat emrit dhe përfaqësonte edhe qytetin. Mendova se një nga elementët simbol ishte Kulla e Sahatit, që uroj ta ruajmë gjatë. Bëra skica pafund dhe ja ku e kemi, logon e UET”, kujton piktorja, ndërsa të gjitha bocetet ia dorëzoi universitetit, si pjesë e historisë së tij.

Edhe ajo vetë ka lëvizur shumë si pjesë e kolonive të artit nëpër botë. Por si përvojën më mbresëlënëse veçon, pesë javët e kaluara në Kinë. E mbushur me traditën, kulturën dhe ngjyrat e vendit të madh aziatik, krijoi një cikël të konsiderueshëm, që shkon nga Stadiumi i Pekinit e deri tek Ushtarët e Terrakotës.

Në veprimtaritë kulturore, artistike e sociale ku përfshihet, Dividi është kthyer në një urë lidhëze mes brezave të artistëve. Secili është produkt kulturor i kohës dhe kushteve dhe shpesh njëri kërkon ta shpërfillë apo zvogëlojë tjetrin. Ajo mendon se përmes këtyre veprimtarive, secili ka për të marrë e dhënë nga tjetri, pavarësisht cilit brez i përket.

 

Puna e saj ndër vite ka marrë dimension domethënës social. Themeloi shoqatën “Tirana Art’, së cilës iu bashkuan miq e kolegë e përmes saj kërkon të sjellë ndryshime për mirë në komunitet. Ka punuar me vajza e gra, viktima të dhunës së trafikimit dhe e ka përdorur pikturën dhe vizatimin si mjet shprehës, për shumë syresh që heshtja i kishte ngurtësuar, por edhe si terapi për t’u çliruar nga demonët e së shkuarës.

Ka parë e dëgjuar histori të dhimbshme. Janë çelur ekspozita, bërë veprimtari, ngritur teatër lëvizës nëpër qytete të vegjël, për të rrëzuar stereotipat dhe stigma- tizimin që ende e vuajnë, viktimat.

“Si krijues, mund të krijojmë, por edhe mund të ndryshojmë”, thotë ajo ,ndërsa e ka zgjeruar bashkëpunimin me komunitetin, opinionin publik, me aktorë të tjerë të jetës shoqërore për të përcjellë mesazhe ndërgjegjësimi.

“Krijojmë jo vetëm për veten, por edhe për të tjerët”. Ia ka dalë që, përmes këtyre veprimtarive të bëjë të pamendueshmen, t’i afrojë të rinjtë tek arti por edhe ndërgjegjësimi social. Empatinë me të cilën janë të pajisur shumë artistë ka vendsur ta kthejë në kauza humane. Histori mbijetese të viktimave, që më në fund kanë zë përmes figurës apo dramaturgjisë, ka shumë për të treguar. Secila i ka dhënë forcë të vazhdojë e ta përdorë artin në një formë jo vetëm me veten dhe për veten.

Kam takuar vajza të trafikuara, kamë dëgjuar historitë e tyre të dhimbshme që më janë dukur si në filma. Dhe nuk e dinim që ishin aq pranë nesh dhe vazhduam edhe më tej me sensibilizimin e të rinjve…”

Arti duket se deri tani ka qenë dobiprurës dhe i ka rrëzuar barrierat e frikës dhe të paragjykimit. Shumë prej pikturave që kanë real- izuar viktimat e trafikimit, të dhunës apo edhe familjarët e tyre, i ruan në “Tirana Art”.

Aty ku ruan edhe pikturat e saj, për të cilat nuk di ta thotë numrin e saktë. Disa syresh i ruan me fanatizëm, siç janë ato me në qendër blunë dhe detin… Në studio, tablotë i ka vendosur në rend i vëllai, Ergysi, një lloj kuratori i lindur, ndonëse për profesion nuk bën artistin, por inxhinierin elektrik.

Në pjesën më të madhe të studios është deti i Jonës dhe peshqit-anije, që në barkun e tyre të shpien në ca vise të thella, ku nis të përtypësh në vetëdije e nënvetëdije efektin e blusë, të errësirës dhe të dritës dhe fuqinë e ngjyrave, që piktori si një alkimist i bën bashkë duke të të hipnotizuar e dhënë magji.

Ndonjëherë, më shumë se imitim i jetës, arti – si për krijuesin ashtu edhe për kundruesin – bëhet mjet për ta kuptuar më mirë atë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Revista Liberale