Vendosni fjalën kyçe....

“Ç’qenka kjo, paska mbushur moshën dhe të mos rroka më? – Denoncimi i familjarëve, 114-vjeçares në Kuçovë s’i japin pensionin (Video)


Një të moshuare 114-vjeçare i është ndaluar pensioni pasi autoritetet pretendojnë se i ka kaluar mosha. Bëhet fjalë për Qamile Marrën, banuese në fshatin Ferras të Kuçovës.

Familjarët e saj kanë denoncuar se kanë hasur vështirësi për të marrë pensionin e pleqërisë së saj.

Sipas djalit të saj, Hysen marra, në janar 2023 e ëma nuk e ka marrë pensionin prej 7 mijë lejësh pasi e kanë bërë trë vdekur.

Ai tha se familjarët duhet të deklarojnë çdo vit në Gjendjen Civile nëse nëna është gjallë apo jo.

Nusja e tij Rahime Marra tha se vjehrra nuk e ka marrë pensionin pasi i kanë thënë se ka kaluar moshën dhe duhen dokumente për të vërtetuar që ajo jeton ende.

“Jam nusja e Qamiles. Vajtëm për të marrë pensionin këtë muaj, në janar. Shpërblimin e morëm, pensionin nuk e morëm. Vajti burri për t’u ankuar atje se duhet një certifikatë. I gjetëm dhe i çuam. Vajtëm pastaj dhe na thanë ka mbushur moshën. Ç’qenka kjo, paska mbushur moshën dhe mos të rronka më. I ka ditët e Perëndisë. Ia ka dhuruar Zoti. Aq sa merr, 70, ne nuk i kërkojmë lekë shtetit. Nuk do ta hedh në rrugë unë plakën. Të tre pensionista jemi. Ka kaluar moshën, është 114 vjeçe. Le të jetë edhe 200, ajo ka ditët e veta.” – tha nusja.

E moshuara 114-vjeçare Qamil Marra është në gjendje të mirë shëndetësore dhe thotë se nuk vuan nga asnjë sëmundje.

Ajo ka 6 fëmije, 4 vajza dhe 2 djem, ku vajza e madhe është 85 vjeçe. E moshuara tregoi se ka punuar 35 vjet në kooperativë bujqësore dhe për këtë merr një pension prej 7700 Lekësh. Ushqehet me bylmet dhe madje bën punët e shtëpisë dhe i lan vetë rrobat e saj.

“Hymë në kooperativë. Çfarë punonin burrat punonim ne. Mirë kemi qenë, por edhe për të vuajtur shumë kemi vuajtur. Nuk kishe njeri në shtëpi. Për të ngrënë ishe 7-8. Kemi vuajtur. Çfarë ka shpia mor bir ndonjë lugë bylmet, çfarë do hash tjetër.” – ka thënë ajo.

Ndërkohë nusja, Rahimja tregon se vjehrra e saj ka pasur jetë të shëndetshme dhe se nuk ka shkuar kurrë te doktori.

“Unë kam 50 vjet që kam ardhur tek kjo familja këtu. Nënë Qamilja ka pasur jetë të shëndetshme. Kurrë tek doktori nuk e kam çuar. Vetëm një herë kur i merret mendja që ka një dhimbje koke. Vetëm për atë është kuruar Qamilja. Asnjë sëmundje nuk ka. Asaj i jap një kokërr vezë në mëngjes. Do pijë kafen dhe do hajë bukën. Me çfarë e do i them unë. Me çfarë të ketë thotë. I jap djathë dhe kos se unë kam bagëti të imëta. Nënë Qamilja fshin, kur nuk jam unë këtu shikon pulat. Lan rrobat e veta me dorë nuk i fut në lavatriçe. I laj unë thotë.” – tha ajo.

Ajo jeton djalin e saj të vogël, 76 vjeç dhe nusen 68 vjeçe.

“Ngopet lumi me ujë që të ngopet robi me jetë? Ai thotë të shoh dhe një çikë, të shoh dhe një çikë. Nuk ngopem me jetë.” – tha 114-vjeçarja.

*Video marrë nga Ermal Barjami