Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Tre porositë e para të Ramës për McGonigal ishin kundër meje, janë takuar me prokurorë, gjykatës e biznesmenë


Kreu i Partisë së Lirisë Meta zbuloi sot se tre porositë e para të Ramës për ish-agjentin e FBI-së Charles McGnonigal kanë qenë kundër tij, në kohën kur ka qenë president i vendit.

Në një konferencë për mediat nga selia e partisë, ai theksoi se McGonigal ka qenë në vend shumë më tepër se katër herë e kjo do dalë nga hetimet në SHBA ndërsa shtoi se vizitat e tij kanë qenë në funksion të shkatërrimit të pluralizmit e demokracisë në vend e goditjes së stabilitetit rajonal.

Meta tha gjithashtu se kryeministri Rama ka cenuar sigurinë e NATO-s me korruptimin e zyrtarëve të lartë të FBI-së.

“Jam shumë i nderuar që tre porositë e para që i ka dhënë Edi Rama këtij zotërisë që është ndaluar nga FBI-ja, i ka dhënë kundër presidentit në detyrë në atë kohë Ilir Metës, për të bërë hetime të paligjshme nën autoritetin e FBI-së, për të ndikuar këtu dhe jashtë vendit dhe për të marrë dëshmi të rreme. Aktivistja Rezarta Çaushaj ka dhënë një pjesë të vogël të së vërtetës që unë e kam ditur. Nuk janë katër vizita, nga hetimi do të dalin shumë më tepër vizita të paraportuara sipas ligjit të shtetit amerikan që kanë qenë në funksion të lojërave mafioze të Edi Ramës për të goditur pluralizmin e demokracinë në Shqipëri e për shkatërruar stabilitetin në rajon. Ne kemi punën tonë dhe drejtësinë tonë.

Këta persona janë takuar dhe me prokurorë, me gjykatës, me njerëz të drejtësisë dhe biznesmenë dhe janë përdorur nga Edi Rama për të bërë shantazhe dhe mashtruar. Detyra jonë është të bëjmë shembull  Edi Ramën për firmat që ka hedhur vet dhe për korrupsionin e veprimet antikushtetuese që ka bërë vet. Agjentët e FBI-së e marrin përgjigjen vetë nga drejtësia amerikane. Edi Rama ka cenuar sigurinë ndërkombëtare sepse duke korruptuar zyrtarë të lartë të vendit kryesor të NATO- ka kryer një cenim jo vetëm të sigurisë sonë kombëtare të cilën e bën çdo ditë, për të cilat do përgjigjet deri në një, po edhe sigurinë e aleancës. Nuk ka asnjë mundësi që kjo çështje të mbyllet në Shqipëri, ai do përgjigjet deri në fund. Ai që llapte rublat ruse, rublat ruse, do mbajë përgjegjësi për kompanitë e lidhura me kapital rus dhe të Putinit. Përveç kësaj ai ka korruptuar e joshur zyrtarë të agjencive të vendeve partnere.” – tha Meta.