Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i PL-së, Blushi: Buxheti i bashkisë 350 milionë euro, gjendja e rrugëve skandaloze, Veliaj mendoi të pasurohej për vete


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka denoncuar gjendjen e rrugëve në Tiranë duke akuzuar kryebashkiakun Veliaj për abuzim me fondet dhe për cilësinë e punimeve të kryera.

Në një deklaratë për mediat, Blushi tha se rruga ‘Tefta Tashko Koço’ ishte asfaltuar katër herë, ç’ka është mirëfilli vjedhje e taksavetë qytetarëve.

“Cilësia shumë e dobët e investimeve dhe standardet e punimeve që lenë për të dëshiruar janë dëshmi e qartë se fondet publike dhe taksat e banorëve të kësaj lagjeje që duhet të shkonin për përmirësimin e infrastrukturës në Rrugën “Tefta Tashko Koço” janë keqpërdorur barbarisht dhe kanë përfunduar në xhepin e Erion Veliaj dhe klientëve të tij. Katër asfaltet e hedhura në këtë rrugë, janë mirëfillti katër vjedhje të taksave të banorëve të Njësisë 2, të cilët rrugën me standarde dhe kanale kullimi e shohin vetëm në fotot me filtra të propagandës së Erion Veliajt, por jo në realitetin e hidhur që prekin çdo ditë.

Rrugët e ndershme nuk kanë nevojë as për katër investime, as për katër inagurime dhe as për katër kronika televizive, por vetëm për një investim të ndershëm, që nuk vidhet por që jeton për të paktën katër dekada.”– tha Blushi.

Ai shtoi më tej se pavarësisht miliona eurove të shpenzuara, infrastruktura e Tiranës është copash.

Blushi tha se bashkia Tiranë ka një buxhet prej 350 milionë eurosh po pavarësisht kësaj gjendja e rrugëve është skandaloze.

Në fund sekretari i PL-së tha se ‘më 14 maj qytetarët do ndëshkojnë masivisht kryehajdutin e kryemashtruesin e Tiranës.

Infrastruktura e bërë copash në rrugët dhe rrugicat e Tiranës, që kanë gllabëruar miliona lekë por kanë mbetur po njësoj, tregon dështimin e plotë të Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e kushteve të banorëve dhe administrimit të fondeve publike. Të përdorësh 350 milion euro buxhet vjetor për të mbushur xhepat dhe jo gropat e rrugëve të lëna rrugëve do të thotë se për tetë vite Kryehajduti Erion Veliaj mendoi si të pasurohej për vete dhe jo se si të përmirësonte infrastrukturën dhe cilësinë e jetesës në komunitet të qytetarëve të Tiranës. Ndaj 14 Maji është dita për të ndëshkuar masivisht me votë Kryehajdutin dhe Kryemashtruesin e Tiranës.” – mbylli Blushi.