Vendosni fjalën kyçe....

Kush është ambasadorja e re amerikane që mund të shërbejë në Tiranë


Donald Trump-i, presidenti amerikan ka nominuar Yuri Kim-in për postin e ambasadorit amerikan në Shqipëri.

Që prej largimit të Donald Lu-së, ambasada amerikane në Tiranë drejtohej nga e komanduara me punë Leyla Moses-Ones dhe janë dashur disa muaj deri në kristalizimin e idesë për caktimin e emrit të Kimit.

Zyrtarja e diplomacisë ka shërbyer në nivelet e larta të shërbimit diplomatik amerikan duke mbuluar rajone të ndryshme, mes të cilave edhe Turqinë.

Karriera e pasur e ambasadores

Kim, sipas një përmbledhje të karrierës së saj të publikuar në Universitetin e Guamit, në ishullin Mangilao në Paqësor nën varësinë e SHBA-ve, ka punuar në sfidat kryesore të politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare nëpër rajone të shumta, duke përfshirë Kinën, Korenë e Veriut, Turqinë, Irakun dhe shërbimet për NATO-n.

Ajo ka qenë shefja e Shtabit të Zëvendëssekretarit të Shtetit në vitet 2015-2017. Më parë  ajo ishte drejtoreshë e Zyrës së Sigurisë Evropiane dhe Çështjeve Politike-Ushtarake, përgjegjëse për politikat e SHBA-së lidhur me vendosjen e forcës së NATO-s, SHBA-ve dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e çështjeve të tjera të politikës transatlantike të sigurisë.

Ajo ka mbajtur rolin e Këshilltares Politike në Ankara në vitet 2011-2014, ku ishte përgjegjëse për forcimin e bashkëpunimit dypalësh, NATO-s dhe rajonal me Turqinë, veçanërisht në lidhje me zhvillimet në Siri, Irak dhe Iran.

Si Këshilltare Politike në Bagdad, në vitet 2009-2010, ajo u angazhua me udhëheqësit irakianë në spektrin e plotë të çështjeve të brendshme, dypalëshe dhe rajonale. Ajo gjithashtu punoi me zyrtarë të lartë amerikanë të mbrojtjes për të planifikuar dhe ekzekutuar tranzicionin e detyrave kritike, përgjegjësive dhe buxheteve nga forcat amerikane të Irakut në entitetet civile amerikane dhe irakiane.

Para kësaj detyre, ajo ishte asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit Shtetëror për Çështjet e Azisë Lindore dhe Çështjeve Paqësore dhe një anëtar i delegacionit të SHBA-së në bisedimet gjashtëpartiake që synonin denuklearizimin e Koresë së Veriut.

Ajo ka shërbyer gjithashtu në Seul, Tokio dhe Pekin dhe në Sekretariatin Ekzekutiv në mbështetje të sekretarit Colin Powell.

Kim mban një diplomë Bachelor nga Universiteti i Pensilvanisë dhe një Master në Filozofi nga Universiteti i Kembrixhit. Ajo flet gjuhët koreane, kineze (mandarin), japoneze dhe turke.

Përgjime ndaj ambasadores në Turqi?

Emri i Yuri Kim-it është lakuar në çështjen e përgjimeve në Turqi, në padinë e Gezit, kundër 16 qytetarëve turq që morën pjesë në protesta në vitin 2013 kundër Erdoganit.

“Ahvalnews.com”, medie turke në një shkrim të detajuar shkruan se prokurorët kishin përfshirë në kallëzim edhe të dhënat telefonike mes një individi të quajtur Yuri Kim, drejtoresha aktuale që shërbente në Zyrën e Departamentit të Shtetit të SHBA-ve për Punët e Europës Jugore, e cila mbulonte edhe Turqinë.

“Bisedat telefonike të përfshira në aktakuzë janë midis një personi të identifikuar si Yuri në ambasadën e SHBA dhe Osman Kavala, një biznesmen i akuzuar për përpjekjen për të përmbysur qeverinë turke duke organizuar protestat e Parkut Gezi.

Kim në atë kohë ishte duke shërbyer si këshilltare politike në ambasadën e SHBA-ve në Ankara.

Sipas medieve turke në këto biseda, Kim këshillon Kavalën të kërkojë nga shokë gazetarë që ai i njeh në Uashington DC për të krijuar protesta gjatë konferencës për shtyp të Departamentit të Shtetit.

….

Prokurorët turq që përdorin një zyrtar në shërbim të një aleati, si dëshmi kundër Kavallës, mund të çojnë në një rritje të tensioneve. Marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara janë tashmë të krisura nga një sërë mosmarrëveshjesh, përfshirë blerjen e planifikuar të Turqisë për sistemet e mbrojtjes raketore S-400, për të cilat një zëdhënës i Pentagonit tha më parë gjatë javës se mund të çojë në “pasoja të rënda”.”, shkruan më tej media online turke.

Pas mbarimit të mandatit në misionin diplomatik në Shqipëri të Donald Lusë si ambasador dhe largimit të tij në drejtim të Kirgistanit, administrata Trump propozoi emrin e Katheelin Kavalec, e cila nuk u votua nga Senati./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *