Zbardhen detaje të reja nga hetimet për vrasjen e dyfishtë të ndodhur më 26 prill në fshatin Balldren, ku humbën jetën Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Policia ka bërë të ditur se është gjetur edhe automjeti i dytë i dyshuar i përdorur nga autorët.
Sipas njoftimit zyrtar, në fshatin Torovicë, në një rrugë dytësore pranë një kanali, është lokalizuar një mjet tip “Audi A4”, i cili dyshohet se ka qenë pjesë e dinamikës së atentatit. Dyshohet se ky automjet është përdorur nga bashkautorët që kishin rolin e vëzhgimit të lëvizjeve të viktimave.
Gjatë kontrollit të automjetit, shërbimet e policisë kanë gjetur brenda dokumente që u përkasin personave të shpallur në kërkim, çka mund të ndihmojë në identifikimin dhe kapjen e tyre.
Automjeti është sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohet ekspertizave kriminalistike për të siguruar prova shtesë.
Një ditë më parë, në të njëjtën zonë ishte gjetur edhe një automjet tjetër, tip “Volkswagen Polo”, i cili dyshohet se është përdorur gjatë atentatit.
Policia bën me dije se vijojnë kontrollet intensive në terren për lokalizimin dhe kapjen e autorëve, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Lezhës për veprime të mëtejshme.
