
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar nga foltorja e Kuvendit se opozita nuk mund të zhbëjë vullnetin e qytetarëve, duke e akuzuar atë për bllokim të proceseve institucionale.
Kurti theksoi se katër muaj pas zgjedhjeve, opozita po kërkon sërish zgjedhje të reja, në vend që të marrë përgjegjësi institucionale.
“Sot janë mbushur 4 muaj nga zgjedhjet e fundit dhe ja ku jemi në një seancë që bojkotohet nga opozita. Vetëm 4 muaj pas zgjedhjeve duan prapë zgjedhje; ata nuk duan përgjegjësi, nuk duan pushtet”, u shpreh ai.
Kreu i qeverisë bëri të ditur se ka pasur oferta konkrete për bashkëpunim, duke përmendur Lidhja Demokratike e Kosovës, së cilës, sipas tij, i është ofruar posti i zëvendëskryeministrit dhe katër ministri, si dhe Partia Demokratike e Kosovës për postin e kryetarit të Kuvendit.
Sipas Kurtit, pengesat për funksionimin e institucioneve kanë vijuar edhe këtë vit, duke u zhvendosur nga zgjedhja e kryetarit të Kuvendit te procesi për zgjedhjen e presidentit.
Ai u shpreh se vendi ka nevojë për një opozitë më konstruktive, ndërsa kritikoi qasjen aktuale të partive opozitare, duke e cilësuar atë si pengesë për funksionimin demokratik.
Kurti përmendi gjithashtu kandidaturën e Feride Rushitit për presidente, duke e vlerësuar gatishmërinë e saj për të marrë këtë përgjegjësi.
“Republika e Kosovës praktikisht e ka presidentin, por nuk e ka konstruktivitetin elementar të opozitës për këtë gjë”, tha ai.
Në përfundim, Kurti theksoi se sa më shpesh të mbahen zgjedhje, aq më shumë, sipas tij, opozita do të humbasë mbështetje.