Vendosni fjalën kyçe....

Shkon në 60 numri i të vdekurve nga protestat në Peru


Demonstruesit vazhduan të shtunën të kërkojnë dorëheqjen e presidentes peruane Dina Boluarte pas gjashtë javësh protesta të dhunshme ku kanë humbur jetën 60 njerëz.

Boluarte akuzoi protestuesit për ‘vandalizëm’ në një fjalim televiziv të enjten vonë, pasi qindra dolën në rrugë në kryeqytetin e vendit, Lima. Presidentja tha se protestuesit nuk kishin ‘agjendë sociale’, por kërkuan ‘të thyejnë sundimin e ligjit, të prodhojnë kaos dhe të marrin pushtetin’.

Shumë individë u lënduan nga të dyja anët kur oficerët e sigurisë përdorën gaz lotsjellës në përgjigje të demonstruesve që hodhën gurë mbi ta, sipas raporteve.

Policia bastisi Universitetin Kombëtar të San Marcos në Lima duke përdorur një tank dhe arrestoi 200 studentë, shkruan Anadolu Agency.

Mësohet se ka pasur përplasje mes policisë dhe studentëve në kopshtin e universitetit dhe studentët janë nxjerrë jashtë me autobusin e policisë pas më shumë se një ore.

Qeveria shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në disa rajone, e cila autorizon ushtrinë të ndërhyjë për të ruajtur rendin.

Shpërthimi social njëmujor u shkaktua nga shkarkimi i ish-presidentit Pedro Castillo nga detyra dhe arrestimi i tij pasues me akuzat për kryengritje, kur ai u përpoq të shpërndante Kongresin. Zyra e Prokurorit do të hapë një hetim ndaj Boluartes për civilët që janë vrarë që nga fillimi i protestave më 7 dhjetor.