Vendosni fjalën kyçe....

Vendoste matësa elektrikë kundrejt pagesave, arrestohet punonjësi i OSHEE në Tiranë


Një punonjës i OSHEE-së u arrestua nga Policia pasi akuzohet se i vendoste matës elektrikë shtetasve të ndryshëm kundrejt pagesave të majme.

Shtetasi B.Ll 46-vjeç banues në Tiranë, akuzohet për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, si rezultat i një hetimi disamujor, të ndjekur me metoda proaktive, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Përfitimi”.

Si rezultat i këtij operacioni, u vu në pranga shtetasi:

– B. Ll., 46 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Nga veprimet hetimore, ka rezultuar se 46-vjeçari, gjatë ushtrimit të detyrës si punonjës i OSHEE-së, iu instalonte shtetasve, në ambiente të ndryshme, matës energjie elektrike, kundrejt shpërblimeve të konsiderueshme.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”-njoftimi i policisë.