Vendosni fjalën kyçe....

Bylykbashi: Gjykata Kushtetuese e ka precedentin për t’i hequr mandatin Xhaçkës


Deputeti i Partisë Demokratike Oerd Bylykbashi, deklaroi se Gjykata Kushtetuese duhet që t;i heq mandatin Olta Xhaçkës.

Deputeti i PD-së theksoi se Gjykata Kushtetuese e ka precedentin dhe në dy raste ia ka hequr mandatin e deputetit, Koço Kokëdhimës dhe Ilir Beqajt.

Bylykbashi shtoi se Kushtetuta ka për detyrë të mbrojë interesin publik dhe prandaj e ka sanksionuar atë.

“Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka një dispozitë shumë të qartë, nenin 70 pika 3 në mbrojtje të interesit publik,” u shpreh ai.

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka një dispozitë shumë të qartë, nenin 70 pika 3 në mbrojtje të interesit publik. Askush, asnjë prej deputetëve nuk mundet që të ushtrojë një aktivitet fitimprurës me pasurinë e shtetit, apo të përfitojë nga pasuria e shtetit. Dhe sanksioni për këtë është humbja e mandatit të deputetit.

Gjykata Kushtetuese tashmë e ka vendosur standardin për përfitime më të vogla se kaq. Dy deputetë të Republikës së Shqipërisë në të shkuarën kanë humbur mandatin. E themi dhe njëherë, është i vetmi sanksion që ka Kushtetuta në raport me dispozitat e tjera, dhe është një sanksion dhe dispozitë e rrallë në kushtetutat e ndryshme. Dhe kjo nga kushtetutë bërësit është bërë në mënyrë të qëllimshme, për të parandaluar që deputetët apo pushtetmbajtësit të ushtrojnë pushtetin duke u pasuruar në dëm të interesit dhe pasurisë publike.

E thashë që precedenti është vendosur. Nëse sot do të bjerë ky precedent dhe qeveria me presionin që ka ushtruar deri në këto momente, do të arrijnë ta zhbëjnë këtë pikën 3 të nenit 70, të 140 bashkëshortët apo bashkëshortet e deputetëve, apo ministrave do të kenë mundësinë të ushtrojnë nëpërmjet kamuflimit, marrëveshjeve të simulimit, krijimit të kompanive fiktive dhe të ushtrojnë pushtetin në mënyrë të tillë, që të hyjnë të varfër në pushtet dhe të dalin të pasur. Kjo është e papranueshme dhe sot është sigurisht detyra, nderi dhe përgjegjësia e Gjykatës Kushtetuese të mbrojë interesin publik.

Ne këtu nuk kemi ardhë për një çështje të PD-së, jemi në mbrojtje të interesit publik dhe gardiani i fundit për këtë është Gjykata Kushtetuese’, tha nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.