Vendosni fjalën kyçe....

Shitja me pakicë, ka ende optimizëm, së shpejti hyn H & M


Në të ardhmen, pritet që Teknologjia e Informacionit dhe zhvillimet e reja teknologjike të ndikojnë në mënyra të ndryshme në shitjen me pakicë në Shqipëri.

Për shembull, pritet që shitja me pakicë të vazhdojë të zhvillohet dhe të përdoret në mënyra të reja, nëpërmjet platformave online dhe në mënyra të ndryshme për të automatizuar proceset dhe për të zgjidhur probleme.

Aktorët e tregut e presin 2023 si vit optimist, pavarësisht inflacionit në rritje, apo një tkurrje të ekonomisë globalisht. Stela Dhami, nga Colliers International pohon se në tregun e shitjes me pakicë pritet që të hyjnë marka të reja ndërkombëtare, si e shumëpritura H&M

Shitja me pakicë është një fushë që vazhdimisht po evoluon dhe po zhvillohet, duke sjellë ndryshime dhe zhvillime të reja në mënyra të ndryshme në jetën tonë. Megjithatë, aktorët e tregut pohojnë se ndryshimet dhe zhvillimet në ekonominë dhe tregjet e punës mund të ndikojnë në mënyra të ndryshme në ecurinë e sektorit.

Përgjithësisht besohet se sektori i tregtisë me pakicë do të vazhdojë të jetë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë edhe në të ardhmen. Ka disa tendenca që mund të formësojnë sektorin e shitjeve me pakicë në vitet e ardhshme.

Për shembull, tregtia elektronike ka çuar në rritje të shitjeve në internet dhe zhvillimi i teknologjive të reja si Inteligjenca Artificiale dhe mësimi i makinerive mund të ndryshojnë gjithashtu mënyrën se si shitësit bëjnë biznes.

Përveç kësaj, përdorimi në rritje i telefonave celularë dhe mediave sociale për blerje mund të ndikojë në sektorin e shitjes me pakicë. Në përgjithësi, ka të ngjarë që sektori i shitjes me pakicë të vazhdojë të zhvillohet dhe të përshtatet me nevojat dhe preferencat në ndryshim të konsumatorëve dhe mund të ketë mundësi për bizneset që janë në gjendje të përshtaten dhe të inovohen.

Bumi i ndërtimeve vitet e fundit kanë nxitur sektorin e shitjeve të pajisjeve elektroshtëpiake. Risi gjatë vitit 2022 ishte koncepti i “retail park”. Sektori i hotelerisë si në vende bregdetare, edhe në qytete me konceptin e turizmit të konferencave, priten të jenë risitë e 2023…

 

“Shitjet me pakicë, pritet rritje e pranisë të markave ndërkombëtare”

 

Flet Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e “Colliers International Albania”

 

Sektori i shitjeve me pakicë në qendrat tregtare ka pasur ecuri pozitive dhe duhet theksuar me rritje, të cilat kanë ecurinë më të mirë në treg.

Stela Dhami, menaxhere ekzekutive e “Colliers International Albania”, thotë për “Monitor” se, në vitin 2023 pritshmëritë janë pozitive, me rritjen e pranisë të markave ndërkombëtare.

Gjithashtu priten bashkinvestime në prona strategjike në bregdet.

 

Si ka qenë sektori i shitjeve me pakicë në qendra tregtare në vitin 2022?

Sektori i shitjeve me pakicë ka pasur ecuri pozitive këtë vit, pavarësisht rritjes së çmimeve dhe inflacionit, si pasojë e luftës në Ukrainë. Pritshmëritë edhe për vitin 2023 janë pozitive.

Në tregun e shitjes me pakicë pritet që të hyjnë marka të reja ndërkombëtare, si e shumëpritura H&M.

Ndryshimi i stokut në treg të qendrave tregtare nuk pritet të jetë shumë i madh, përveç zgjerimit të TEG. Në treg mbeten të interesuar të hyjnë kompani ndërkombëtare, të cilat hezitojnë nga vështirësitë ligjore rreth trojeve.

 

Si ka vijuar të jetë qiraja e dyqaneve të tregtisë me pakicë, kryesisht në qendrat tregtare?

Qiraja ka vijuar të jetë në rritje, si rrjedhojë e çmimeve më të larta dhe inflacionit dhe konkurrenca për të hyrë në qendra tregtare, që performojnë mirë, mbetet e lartë. Firmat, me larmishmëri produktesh tërheqëse, do të jenë ato, të cilat do t’i rezistojnë barrës së rritur financiare, si në qira, edhe në shpenzime të rritura të përbashkëta.

 

Çfarë ndikimi pati pandemia që po zgjat në këtë sektor? Po bumi i e-commerce?

Pandemia pati ndikim të menjëhershëm të ngadalësimit të konsumit, por shitjet u rikuperuan me ofrimin e shërbimeve/produkteve online.

Gjithsesi, ne mbetemi konsumatorë të tregut të prekshëm ose ndryshe “bricks and mortar”, për shumë arsye, por mbi të gjitha për mungesën e trajtimit, siç duhet, të konsumatorit nga tregtarët.

Mungon sjellja e duhur ndaj konsumatorit përkundrejt blerjes së produkteve online. Shpresoj që në të ardhmen, kjo politikë ndaj konsumatorit të lehtësohet dhe tregu ynë të reflektojë kohën në të cilën jetojmë.

 

Çfarë zhvillimi mendohet të ketë hoteleria në vitin 2023? Në vitin 2021 dhe 2022 dëshmuam hapje të reja…

Sipas “World Travel and Tourism Council” (Organizata Globale e Turizmit), turizmi shënon 10.4% të PBB-së globale, 1 në çdo 10 pozicione pune. Ky sektor është jashtëzakonisht i rëndësishëm për ekonominë në botë dhe po ashtu edhe për tonën.

Ecuria pritet të jetë pozitive dhe, për herë të parë, kemi interesim në hyrje në bashkinvestim në prona strategjike në bregdet.

Por çështjet e pronësisë së tokës, sidomos në Rivierën Shqiptare, mbeten një prej problematikave kryesore për të bindur investitorët e huaj të hyjnë në tregun shqiptar. Partneriteti me investitorë strategjikë shqiptarë po shikohet si formula e duhur.

Kjo sjell njohuritë shumëvjeçare në sektorin e turizmit nga investitorë seriozë dhe të shpresojmë përmirësimin e ofertës totale turistike të vendit tonë. Të mos harrojmë të theksojmë që Shqipëria bën pjesë në tregun më konkurrues të turizmit, atë të Mesdheut.

 

 

“Parashikojmë vit optimist, sfidë do të jetë rritja e kostove të transportit”

 

Flet Julian Mane, zv.president i Grupit BALFIN

Julian Mane, i cili drejton shitjet me pakicë të Grupit BALFIN, shprehet se pritet një vit optimist në shitjet me pakicë.

Sfidë do të jetë rritja e kostove të transportit ndërkombëtar.

Ndërsa si mundësi që 2022 solli, rendit konceptin e “retail park”, i cili nisi në qytetin e Korçës dhe pritet zgjerimi në qytete të tjera.

 

Si ka qenë sektori i shitjeve me pakicë në vitin 2022, sipas Grupit BALFIN?

Shitjet me pakicë në Grupin BALFIN përbëhen nga Neptun, ose kompania më e madhe e produkteve elektronike për konsumatorin në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, nga kompania KidZone International, e cila përfaqëson produktet Jumbo në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë, nga SPAR Albania që numëron 40.000 produkte, si dhe nga Fashion Group Albania, me marka ndërkombëtare të veshjeve për të gjithë familjen.

Pjesë thelbësore janë edhe disa prej qendrave tregtare më të mëdha në rajon, TEG e QTU në Shqipëri, si dhe EGM në Shkup.

Nëse kthehemi pas pak më herët se 2022, pandemia shkaktoi tkurrje të gjithanshme të ekonomisë botërore. Që atëherë, e sidomos gjatë këtij viti, vihet re një prirje e blerësve “për të kapur kohën e humbur”. Dëshira e njerëzve për të shpenzuar ka qenë faktor i rëndësishëm për rritjen e konsumit në përgjithësi dhe ky trend ka përfshirë shitjet me pakicë e shumë sektorë të tjerë.

Në lidhje me vendin tonë, zgjerimi i sektorit të ndërtimit ka ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e shitjeve me pakicë, pasi apartamentet e reja, natyrisht shtojnë kërkesën për produkte dhe pajisje të nevojshme për shtëpinë. Në të njëjtën kohë, pozitivisht ka ndikuar edhe niveli i qëndrueshëm i remitancave.

Gjatë 2022 ne kemi shtuar 14 njësi të reja shërbimi, në përputhje me prirjet e konsumatorëve. Ndërkohë, marka të shumëpritura ndërkombëtare janë prezantuar për herë të parë në tregun tonë.

Qendrat tona tregtare kanë shtuar 17.000 m² hapësirë në dispozicion të qytetarëve, që i korrespondon pranisë më të madhe të bizneseve kombëtare dhe ndërkombëtare, duke respektuar mjedisin dhe burimet natyrore.

 

Cilat kanë qenë sfidat e hasura?

Sfidë e rëndësishme, që nga koha e pandemisë, është rritja e kostove të transportit ndërkombëtar dhe vonesat në furnizim.

Këtë problematikë e theksoi konflikti në Ukrainë. Gjatë një periudhe kohe u vështirësua madje sigurimi i produkteve bazë, përveç rritjes së konsiderueshme të çmimeve në tregjet botërore, të cilat vazhdojnë të jenë të rritura dhe të ndikojnë negativisht në konsum.

Shumëllojshmëria e produkteve që ofrojnë kompanitë e shitjeve me pakicë të Grupit BALFIN na ka ndihmuar të zbutim këto efekte të padëshiruara. 40.000 produktet në 76 dyqanet SPAR në Shqipëri plotësojnë nevojat bazë të familjeve, me prodhime të tregtuara në parametrat më të lartë higjieno-sanitarë dhe me certifikime cilësie ndërkombëtare.

Edhe ekspertiza e formuar gjatë dekadave na ka mësuar të krijojmë kanale alternative për të siguruar produktet e kërkuara.

Për shembull, rrjeti Jumbo në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë, arriti të mbajë të pacenuar, gjatë gjithë kësaj kohe, shifrën rekord prej mbi 30.000 produktesh për fëmijë dhe argëtimin e së gjithë familjes, të prodhuara për tregun europian.

Po ashtu kompania Neptun, e konsoliduar prej dekadash në secilin treg ku operon, ruan pozitën kryesuese për elektroshtëpiake dhe produkte elektronike.

 

A mund të flasim për një bum të e-commerce pas pandemisë?

Pandemia paraqiti vështirësi të pakrahasueshme për tregtinë, por edhe na bëri të mësojmë se si të përballemi me situata të tilla.

Shitjet online në botë gjatë pandemisë u rritën ndjeshëm, ndërsa në Shqipëri, nuk u arrit ritmi i vendeve të tjera, edhe pse përpjekjet ishin të mëdha. Natyrisht që u regjistrua një hop i konsiderueshëm, por ishte i brishtë, sepse kompanitë u gjendën të papërgatitura.

Tashmë volumi i shitjeve online ka rënë përsëri, por mbetet në nivele paksa më të larta se para pandemisë.

Bumi që përmendni do të vijë shumë shpejt dhe ne po përgatitemi. Përveç shitjeve online, që janë aktive për të gjitha kompanitë tona, në faqet e internetit dhe aplikacionet përkatëse, ne po konsiderojmë mundësinë e përvetësimit të disa praktikave, që kanë dhënë sukses në situata të ngjashme.

 

Cilët janë zhvillimet e pritshme në sektor për vitin 2023?

Fillimi i vitit parashikohet me vështirësitë e përhershme, por më pas besoj te një ritëm i kënaqshëm i shitjeve, për arsye të mbarimit të muajve të ftohtë dhe uljes së mundshme të çmimit të energjisë elektrike dhe naftës.

Shitjet online do të rriten në vitin 2023 e në vazhdimësi. Konsumatorët shqiptarë po ndryshojnë krahas atyre të rajonit dhe Europës.

Ata kanë në dispozicion më shumë informacion dhe mundësi zgjedhjeje. Nga ana e tyre, edhe kompanitë tona janë gjithnjë në proces përshtatjeje për t’u paraprirë nevojave të klientëve.

Një zhvillim i rëndësishëm për klientët tanë në qytetet e tjera veç Tiranës, do të jetë koncepti “retail park”. Thënë ndryshe, janë formate të thjeshtuara të qendrës tregtare, të përshtatura për tregje të vegjël.

Sprovën e parë e bëmë në Korçë me “West Park”, që është pritur mirë nga blerësit e atjeshëm. Janë katër biznese të vendosura në 7.400 m², që plotësojnë nevoja nga më të ndryshmet të tregut lokal, me standarde të njëjta si në Europë. Viti 2023 do të sjellë shtrirjen edhe në qytete të tjera.

Në mënyrë të përmbledhur, pres një vit optimist për sa i përket ecurisë së shitjeve me pakicë për kompanitë e Grupit BALFIN.

VINI RE: Ky material wshtw pronwsi intelektuale e Monitor