Vendosni fjalën kyçe....

Berisha: Opozita dominoi skenën politike në 2022, për shkak të protestave dhe aksioneve


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një intervistë për “Syri Tv” deklaroi se gjatë vitit 2022 opozita dominoi zhvillimet politike në vend.

E vërteta është se në tërësi opozita ia doli gjatë vitit që kaloi, t’i japë tonin jetës politike të vendit. E kjo jo për dëshirë të qeverisë, por për meritë të opozitës. Kjo përbën arritjen e parë substanciale në rrafshin politik kombëtar të opozitës. Normalisht tonin politik jetës së vendit, në një vend normal ja jep qeveria. Kurse në Shqipëri, pavarësisht nga të gjitha ngjarjet dhe aktivitetet e zhvilluara zyrtare kanë qenë ato opozitare që kanë dominuar politikisht skenën e vendit. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm”-deklaroi Berisha në emisionin “Çim Peka Live“.

Kryetari i PD-së tha se nuk ka qenë qeveria që i ka dhënë vëmendje opozitës dhe zhvillimeve brenda saj por veprimet politike dhe qëndrimet që ka marrë gjatë gjithë vitit.

Ai përmendi aksionet politike, protestat e fuqishme që treguan se ka një popull opozitar.

Kanë qenë qëndrimet e opozitës së vërtetë ato që i kanë dhënë tonin jetës politike të vendit. Kanë qenë protestat e saj të fuqishme që e dridhën Shqipërinë, që treguan se ka një popull opozitar në këmbë. Ka qenë aktiviteti i saj, sado i cunguar me përpjekjet e mazhorancës në parlament. Kanë qenë procedurat që kjo opozitë me guxim aplikoi dhe kaloi nëpër to. Kanë qenë primaret. Pra është një proces i tërë. Ju jeni dëshmitarë se për muaj të tërë u fol më shumë për primaret se çdo gjë tjetër. Pra ato përpjekje kanë ekzistuar, por tonin jetës politike opozita ja dha e do të ja japë shumë më fuqishëm me aktivitetet e saj. Nëse ju shikoni sot se ku janë rrokullisur Edi Rama, në nivelet më të ulëta që ka ekzistuar ndonjëherë në ekzistencën e tij. Se ku është rrokullisur Erion Veliaj në nivelet më të ulëta. Ju mund të thoni që opozita është lart. Ka një dallim substancial të kuotimit të opozitës dhe kuotimit të qeveritarëve. Në rastin e opozitës ndikon fuqishëm frika. Por kjo rrokullisje e madhe nuk mund të ndodhte kurrë pa qëndrimin e opozitës”-deklaroi Berisha.