Vendosni fjalën kyçe....

Bullgaria pranë zgjedhjeve të parakohshme, të pestat në dy vjet – AP


Bullgaria iu afrua edhemë shumë zgjedhjeve të parakohshme këtë të hënë, pasi një parti reformiste nuk arriti të sigurojë shumicën në parlament për të formuar qeverinë e re.

Tani i takon presidentit bullgar Rumen Radev të vendosë se kujt do ia caktojë më pas detyrën e formimit të një qeverie, pasi kryeministri i emëruar Nikolay Denkov dështoi të bindë parlamentin thellësisht të copëzuar për të miratuar reformat e propozuara dhe për të krijuar një koalicion.

Radev tani duhet t’i japë mandatin një partie të tretë, pasi partia e qendrës së djathtë GERB nuk mundi të formonte një qeveri. Nëse kjo dështon, ai do e shpërndajë parlamentin dhe do caktojë një datë për zgjedhje të parakohshme në pranverë, të pestat në vend në dy vjet.

Analistët presin që një votim i ri mund të ketë një rezultat të ngjashëm dhe të vazhdojë përballjen politike që ka kapluar vendin që nga viti 2020, kur mijëra bullgarë iu bashkuan tubimeve mbarëkombëtare për të kërkuar reforma në gjyqësor dhe veprime efikase kundër korrupsionit.

Kriza shton problemet ekonomike në anëtarin më të varfër të Bashkimit Evropian, pasi mund të vonojë planet e tij për t’u bashkuar me eurozonën në vitin 2024, si dhe marrjen në kohë të miliarda eurove nga fondet e rimëkëmbjes së BE-së.