Vendosni fjalën kyçe....

U akuzua për mashtrim me fondet e BE-së, ish-kryeministri çek Babis shpallet i pafajshëm


Një gjykatë e Pragës liroi të hënën ish-kryeministrin Andrej Babis nga akuzat për mashtrim në një çështje prej 2 milionë dollarësh që përfshin subvencionet e Bashkimit Evropian.

Një prokuror kërkoi një dënim trevjeçar me kusht dhe një gjobë prej 10 milionë koronash çeke (440,000 dollarë) për miliarderin populist. Prokuroria ende mund të apelojë vendimin.

Babis u deklarua i pafajshëm dhe tha vijimësisht se akuzat kundër tij ishin të motivuara politikisht.

Ai nuk ishte i pranishëm në Gjykatën Komunale të Pragës të hënën. Ish-bashkëpunëtorja e tij, Jana Nagyova, e cila nënshkroi kërkesën për subvencionim, u shpall gjithashtu e pafajshme.

Gjykatësi Jan Sott tha se ajo që ata bënë ‘nuk është një krim’. Në të njëjtën kohë, Sott hodhi poshtë nocionin se Babis u persekutua për shkak të veprimtarive të tij politike.

“I pafajshëm!” – shkroi në Tëitter pas vendimit, Babis.

“Më vjen shumë mirë që kemi një gjyqësor të pavarur dhe gjykata e konfirmoi atë që kam thënë që në fillim. Se unë jam i pafajshëm dhe nuk kam bërë asgjë të paligjshme.”

“Më vjen mirë që gjykata njohu argumentet e mbrojtjes sime.” – shtoi ai më vonë të hënën.

Vendimi është një nxitje për Babisin vetëm pak ditë përpara raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale çeke.

Babis konsiderohet një kandidat kryesor në zgjedhjet dyditore që fillojnë të premten, së bashku me Gjeneralin e ushtrisë në pension Petr Pavel, ish-kryetar i komitetit ushtarak të NATO-s dhe ish-rektoren e universitetit, Danuse Nerudova.

Kryeministri Petr Fiala tha se është e nevojshme të pranohet vendimi i një gjykate të pavarur.

“Ajo që është thelbësore: Betejat e vërteta politike në demokraci zhvillohen në zgjedhje, dhe jo në dhomat e gjykatave.” – shkroi Fiala në Tëitter dhe u kërkoi çekëve të shkonin në kutinë e votimit në zgjedhjet e ardhshme.

Si Pavel ashtu edhe Nerudova mbështeten nga qeveria në pushtet.

Çështja Babis përfshinte një fermë të njohur si ‘Foleja e Lejlekut’, që mori subvencione nga BE-ja pasi pronësia e saj u transferua nga konglomerati Agrofert në pronësi të Babisit me rreth 250 kompani, te anëtarët e familjes së Babis. Më vonë, Agrofert mori përsëri pronësinë e fermës.

Subvencionet ishin të destinuara për bizneset e mesme dhe të vogla dhe Agrofert nuk do kishte të drejtë për to. Agrofert më vonë e ktheu subvencionin.