Vendosni fjalën kyçe....

Gjiganti amerikan i energjisë padit BE-në për taksën ndaj kompanive të naftës


Gjiganti amerikan i energjisë Exxon Mobil ngriti të mërkurën një padi kundër Bashkimit Evropian, me qëllim bllokimin e taksës së papritur të shpallur së fundmi për kompanitë e naftës.

Padia u ngrit nga filialet holandeze dhe gjermane të Exxon në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së në Luksemburg. Ajo kundërshton autoritetin ligjor të Këshillit të BE-së për të vendosur taksën, duke argumentuar se kjo duhet të jetë një çështje e vendosur nga secili vend individualisht.

Brukseli prezantoi taksën e re në shtator si pjesë e një pakete masash që synojnë të frenojnë rritjen e çmimeve të energjisë. Rritjet e çmimeve kanë ndihmuar kompanitë e naftës dhe gazit të arrijnë fitime rekord në muajt e fundit, por gjithashtu shkaktuan një rritje të faturave të energjisë për konsumatorët dhe bizneset.

Taksa, që do hyjë në fuqi nga 31 dhjetori, do të jetë 33% për çdo fitim të tatueshëm të kompanive të naftës në vitet 2022-23 që janë 20% ose më shumë mbi fitimet e tyre mesatare midis 2018 dhe 2021, shkruan AP. Ajo pritet të mbledhë 25 miliardë euro të ardhura për bllokun.

Exxon, një nga furnizuesit më të mëdhenj të naftës në BE dhe një investitor i madh në rafinimin evropian, ka pranuar se çmimet e larta të energjisë ‘po rëndojnë shumë mbi familjet dhe bizneset’, por argumenton se taksa do jetë kundërproduktive dhe nuk ka gjasa të ndihmojë bllokun të ulë faturat.

Zëdhënësi i Exxon, Casey Norton, tha se sidoqoftë do ‘minonte besimin e investitorëve, do shkurajonte investimet dhe do rriste besimin në energjinë e importuar dhe produktet e karburantit’.