Vendosni fjalën kyçe....

Rama vendos, toka e Teatrit Kombëtar i kalon Bashkisë së Tiranës


Rama vendos që toka e Teatrit Kombëtar t’i kalojë Bashkisë së Tiranës. Vendimi është firmosur nga Erion Braçe me porosi të Edi Ramës.

Erion Veliaj komentoi sot kalimin në pronësi të tij të truallit të Teatrit Kombëtar nga kryeministri Edi Rama, duke e quajtur një reflektim pas vendimit të Kushtetueses.

“Tani që nuk ekziston Teatri jepet në pronësi trualli. Reflektuam pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Vendet e zhvilluara s’i pengojnë projektet e mëdha.”, tha Veliaj për “News24” nga Tokio ku po ndjek nga afër Lojërat Olimpike me ekipin shqiptar.

Veliaj e ka interpretuar ditë më parë në të kundërt të interpretimit që i bënë aktivistët për mbrojtjen e teatrit, vendimin e Kushtetueses.

Teatri Kombëtar u shemb më 17 maj 2020. Ditë më parë, për shkak se më parë nuk kishte numrin e duhur për të gjykuar teatrin, Gjykata Kushtetuese doli me një vendim.

Në vendimin e pjesshëm të para pak ditëve, Kushtetuesja shfuqizoi Ligjin Special për Teatrin Kombëtar, pezulloi ndërtimin e godinës së re po la në fuqi shembjen e godinës. Gjithashtu ajo rrëzoi vendimin e qeverisë për ta kaluar Teatrin Kombëtar në pronësi të bashkisë së Tiranës.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, në vendimin e plotë të zbardhur thuhet se ky ligj cenon lirinë ekonomike, parimin e shtetit të së drejtës, në kuadër të vlerësimit të identitetit dhe të trashëgimisë kombëtare, duke shkelur nenet 3, 11 dhe 17 të Kushtetutës.