Eksperti i IT-së dhe aktivisti Gent Progni ka depozituar një kallëzim penal në Komisariatin nr. 1 në Tiranë, duke akuzuar truprojën e deputetit socialist Ulsi Manja për dhunë fizike gjatë protestës së 2 korrikut, si edhe Policinë e Shtetit për intimidim dhe shkelje të procedurave.
Në një deklaratë për mediat, Progni tha se incidenti nisi pranë një lokali afër Parlamentit, ku, sipas pretendimit të tij, protestuesit u provokuan me ofendime dhe reaguan duke hedhur vezë.
“U provokuam dhe u kundërpërgjigjëm me vezë,” deklaroi ai.
Aktivisti pretendon se më pas është dhunuar nga Saimir Koka, të cilin e identifikon si truprojë të Ulsi Manjës.
“Më goditi mbi 100 herë me grushta. Isha në pozicion mbrojtjeje me duart në kokë dhe vazhdoi të më godiste edhe kur isha i shtrirë,” u shpreh Progni, duke kërkuar sekuestrimin e kamerave të sigurisë për të dokumentuar ngjarjen.
Ai ngriti akuza edhe ndaj Policisë së Shtetit, duke pretenduar se fillimisht iu drejtua Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) për të kallëzuar drejtuesit e Komisariatit nr. 4, pasi, sipas tij, shefi i komisariatit ishte i pranishëm gjatë incidentit dhe nuk ndërhyri.
Progni deklaroi gjithashtu se ka hasur pengesa edhe gjatë depozitimit të kallëzimit në Komisariatin nr. 1.
“OPGJ nuk më lejoi ta bëja kallëzimin në prani të avokatit tim. Që në fillim u munduan të më intimidojnë duke më thënë se ishte vetëm një ankimim dhe jo kallëzim penal,” tha ai.
Sipas Prognit, në Komisariatin nr. 4 nuk iu mundësua as kryerja e procedurave mjeko-ligjore për dokumentimin e dëmtimeve.
Ai pretendoi gjithashtu se është dhunuar edhe Besnart Kajimi, i cili, sipas tij, dispononte një kamerë 360 gradë që kishte regjistruar të gjithë ngjarjen.
“Shpresojmë ta gjejmë kamerën, sepse ajo vërteton të gjitha pamjet dhe të gjithë të vërtetën,” deklaroi Progni.
