Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Spanjë i shumëkërkuari i FBI-së, akuzohet për pornografi me të mitur e krime të tjera seksuale


Një burrë në listën e dhjetë të arratisurve më të kërkuar të FBI-së u arrestua në Spanjë në fillim të kësaj jave, ka zbuluar agjencia amerikane.

Shtetasi i Zelandës së Re Michael James Pratt ishte arratisur nga SHBA-ja pasi u dënua me burgim të përjetshëm, me akuza për shfrytëzim seksual, prodhim pornografie për fëmijë dhe sulm seksual.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, FBI zbuloi se Pratt, i cili ishte në arrati që nga viti 2019, u kap të mërkurën në Madrid. Pratt është në pritje të ekstradimit në paraburgimin spanjoll.

Duke komentuar arrestimin, agjentja e FBI-së, Stacey Moy tha: “Kapja e Michael Pratt është një shembull se si FBI-ja do ndjekë drejtësinë përtej kufijve të SHBA-së. Mund të arratiseni, po s’mund të fshiheni.”

Autoritetet spanjolle vunë në dukje se kjo ishte hera e parë që një kriminel në listën e më të kërkuarve të FBI-së ishte kapur në vend.

Gazeta ‘Guardian’ raportoi se burri po qëndronte në një hotel me një identitet të rremë. Sipas gjyqësorit amerikan, Pratt është i përfshirë në prodhimin audiovizual të regjistrimeve pornografike dhe grumbullonte 17 milionë dollarë nga aktivitetet e paligjshme. Ai u akuzua gjithashtu për rekrutim të vajzave të mitura dhe grave të reja përmes mashtrimit midis viteve 2012-2019.

Ai besohet se ka vendosur reklama në internet në SHBA dhe Kanada duke ofruar punë në fushën e sfilatave për të joshur viktimat e tij në industrinë e pornografisë. Disa nga vajzat e gratë u mbajtën dhe u detyruan të kryenin praktika seksuale kundër vullnetit të tyre, thonë autoritetet amerikane.