Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Jashtme gjermane: Barrikadat e paligjshme në veri të Kosovës të hiqen sa më parë


Ministria e Jashtme e Gjermanisë ka kërkuar që barrikadat në veri të Kosovës të hiqen sa më shpejt dhe që serbët e Kosovës të kthehen në institucionet e tyre.

Gazeta gjermane “Der Standard” shkruan se Ministria e Jashtme Gjermane kërkon që “barrikadat e paligjshme të ngritura nga serbët e Kosovës, të cilat gjithashtu paraqesin rrezik për sigurinë, duhet të hiqen sa më shpejt që të jetë e mundur”.

Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme Federale tha gjithashtu: “Ne jemi shumë të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës”.

Gjithashtu gazeta vë në pah sulmet ndaj ambasadorit gjerman në Kosovë Jörn Rohde, pas deklaratave të tij për të hequr barrikadat.

Një zëdhënës i zyrës së jashtme gjermane tha për “Der Standard” se Rohde kishte bërë deklarata të qarta dhe “përsëri i bëri thirrje Serbisë dhe Kosovës që të përfshihen në mënyrë konstruktive në dialogun e udhëhequr nga BE”.

Këto çështje janë diskutuar në takimet ndërmjet përfaqësuesve të Ministrisë së Jashtme Federale për Ballkanin Perëndimor dhe ambasadorit serb më 21 dhjetor në Berlin dhe mes ambasadores gjermane në Serbi dhe presidentit serb Vuçiq më 22 dhjetor në Beograd.

Asociacioni i Komunave Serbe

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha gjithashtu: “Ne presim një qasje konstruktive nga Serbia. E kemi bërë të qartë në këto bisedime. Është e rëndësishme që serbët e Kosovës të kthehen sa më shpejt në institucionet e Kosovës. Kjo është në interes të popullit që jetojnë në veri. Në të njëjtën kohë, Kosova duhet të pranojë të vendosë në axhendë zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe të rënë dakord më 2013 dhe 2015. Ne mbështesim të dërguarin special të BE-së Miroslav Lajçak në përpjekjet e tij për të normalizuar përfundimisht marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si pjesë e dialogut për të ecur përpara”.