Vendosni fjalën kyçe....

“Kanceri ka avancuar” – Spitali jep detaje për gjendjen e Pele-s


Kanceri i Peles ka përparuar. Kështu ka zbuluar spitali në Sao Paulo ku ai gjendet i shtruar, përmes një deklarate për mediet.

Tre herë fituesi i Kupës së Botës ndodhet në spital prej tre javësh, ndërsa pritet të kalojë edhe Krishtlindjet atje.

“Krishtlindja jonë në shtëpi është pezulluar.”– ka shkruar vajza e Peles në Instagram, Kely Nascimento.

Siç shkruan BBC, një deklaratë e lëshuar nga Spitali thotë se legjenda e Brazilit “kërkon më shumë kujdes në lidhje me mosfunksionimet renale dhe kardiake” për shkak të “progresionit të kancerit”.

Pele u operua në zorrën e trashë në shtator të vitit 2021 dhe që atëherë ka pasur trajtim të rregullt.

Menjëherë pasi ai u shturua në spital tre javë më parë, një deklaratë e lëshuar nga spitali tha se Pele “kishte një përgjigje të mirë ndaj trajtimit për kujdesin e infeksioneve të frymëmarrjes” dhe shtoi se ai po i nënshtrohej një “rivlerësimi të trajtimit me kimioterapi”.

Pele është golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Brazilit me 77 gola në 92 ndeshje dhe ai e ndihmoi vendin e tij të fitojë Kupën e Botës në vitet: 1958, 1962 dhe 1970.

Lojtarët e Brazilit i bënë homazhe Peles pas fitores së tyre ndaj Koresë së Jugut gjatë Kupës së Botës 2022, duke mbajtur lart një pankartë me emrin dhe foton e tij.