Vendosni fjalën kyçe....

“Çove mafiozë e oligarkë të intimidojnë deputetët për Dvoranin” – Bardhi përplaset me Ramën në Kuvend, Felaj e përjashton nga seanca


Përplasen në Parlament deputeti i PD-së Gazment Bardhi dhe kryeministri Edi Rama. Debati mes tyre nisi për procesin për zgjedhjen e anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese dhe të Avokatit të Popullit.

Bardhi ka akuzuar maxhorancën se ka angazhuar oligarkë dhe mafiozë për të grumbulluar vota për Ardian Dvoranin. Pas debateve, drejtuesja e seancës Ermonela Felaj e përjashtoi Bardhin nga seanca plenare.

Pjesë nga debati:

Bardhi: Po ta përsëris, ndoshta e kanë bërë pa dijeninë tënde, por unë besoj se është bërë me dijeninë tënde, drejtuesit më të lartë të grupit tënd parlamentar, jo vetëm kanë kërkuar votë për Ardian Dvoranin, por kanë angazhuar mafiozë, oligarkë.

Rama: Fol me emra, s’ke turp

Bardhi: Samir Mane, shoku jot.

Rama: Ky person këtu është çuar dhe është intimiduar nga filani, lëri emrat këtu shokët e mi.

Bardhi: Jep llogari se ke angazhuar oligarkët

Rama: Të çohet personi e të thotë më ka intimiduar filani

Bardhi: I ke çuar ti

Rama: Një çetë shpifësish, i paskam kam çuar unë se e ke bindjen ti

Bardhi: Je çu ti, për ta shndërruar Gjykatën Kushtetuese në seksion të PS-së

Rama: Për çfarë të përgjigjem ty mor palaço cirku. Je në gjendje t’i ofrosh zërin dhe fytyrën një cirku fantazish.

Përplasja mes Ramës e Bardhit ka vijuar edhe për disa minuta, por regjia e Kuvendit ka vendosur që të censurojë audion e seancës plenare edhe pse seanca nuk ishte ndërprerë.