Vendosni fjalën kyçe....

“Postime pro-Trumpit dhe kundër abortit”- Vatikani shkarkon priftin aktivist në SHBA


Vatikani ka shkarkuar një prift në SHBA për postime “blasfemuese” në mediat sociale dhe aktivizmin e tij në mbështetje të ish-presidentit Donald Trump.

Në një letër drejtuar peshkopëve amerikanë nga ambasadori i Vatikanit në SHBA, prifti Frank Pavone, akuzohet për “mosbindje të vazhdueshme”.

Në vitin 2016, Pavone i cili drejton grupin kundër abortit “Priests for Life”, vendosi një fetus të abortuar në një altar dhe e transmetoi atë në internet.

Shkarkimi i priftit është definitiv dhe nuk mund të apelohet.

Shkarkimi është ndër sanksionet më të ashpra të disponueshme në ligjin kanunor të kishës katolike.

Siç shkruan BBC, Pavone ka qenë një aktivist i hapur kundër abortit dhe pro-Trump për më shumë se një dekadë, duke krijuar terrenin për përplasje të përsëritura me zyrtarë të kishës në dioqeza të ndryshme. Ai komenton shpesh për politikën amerikane përmes platformave të tij të mediave sociale.

Pas zgjedhjeve të vitit 2020, për shembull, dioqeza dënoi përdorimin e mediave sociale nga Pavone i cili vinte në pikëpyetje rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 të cilat Trump humbi, duke thënë se pozicionet e tij politike nuk ishin në përputhje me mësimet katolike.

Në një deklaratë që shoqëronte letrën që njoftonte shkarkimin e tij, Kryepeshkopi Cristophe Pierre, ambasadori i Vatikanit në SHBA, shkroi se Pavone kishte patur “mundësi të shumta për t’iu nënshtruar autoritetit të peshkopit të tij dioqezan”.