Vendosni fjalën kyçe....

SHBA përgatit aleatët për kosto më të larta financiare në Ukrainë – Washington Post


Uashingtoni thuhet se po përgatit aleatët e tij evropianë për ‘skenarët më të këqinj’ në Ukrainë, duke sugjeruar se donatorëve mund t’u duhet të mbledhin 2 miliardë dollarë shtesë në muaj, pasi sulmet ruse në infrastrukturën e rëndësishme kanë gjymtuar ekonominë e ish-republikës sovjetike.

Paralajmërimi i kostos pasqyron frikën se ekonomia e Ukrainës mund të tkurret me një shtesë prej 5-9% në 2023, pasi ka marrë një goditje prej 33% këtë vit, raportoi të enjten Washington Post. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se nëse sulmet e Moskës shtohen, një rritje e refugjatëve që ikin nga vendi mund të dëmtojë edhe më shumë monedhën e Ukrainës.

“Çfarë do bëjmë kur nuk mund të ngrohim shtëpitë, s’mund të hapim dyqanet e fabrikat dhe ekonomia nuk funksionon? Ne do të kërkojmë më shumë ndihmë financiare dhe presidenti rus po e bën këtë për të shkatërruar unitetin midis aleatëve.” – tha për WaPo Oleg Ustenko, një këshilltar ekonomik i Presidentit Vladimir Zelensky.

Europa po vuan tashmë një krizë energjetike dhe trazira ekonomike mes konfliktit Rusi-Ukrainë. Fushata e sanksioneve ka shkaktuar inflacion në rritje dhe mungesa të energjisë. Qeveria e Zelensky pritet të ketë nevojë për të paktën 55 miliardë dollarë ndihmë financiare të huaj vitin e ardhshëm për të përballuar shpenzimet bazë, raportoi WaPo. Një shtesë prej 2 miliardë dollarësh në muaj do ta çonte totalin në 79 miliardë dollarë.

Deri më tani, SHBA-ja e Bashkimi Evropian janë zotuar të dërgojnë më shumë se 30 miliardë dollarë në Ukrainë vitin e ardhshëm, pa llogaritur ndihmën masive ushtarake që po ofrojnë gjithashtu. Përtej financimit shtesë të qeverisë që do kërkojë Kievi, këshilltarët e Zelensky kanë kërkuar nga liderët perëndimorë që të financojnë pagesat direkte në para për qytetarët ukrainas, me një kosto prej 12 miliardë dollarësh, tha Post.