Vendosni fjalën kyçe....

“Fauci gënjeu për Covid-19, shumë njerëz vdiqën. Të hetohet” – Elon Musk shkakton stuhi në rrjetet sociale


Shefi ekzekutiv i Tesla dhe Twitter, Elon Musk, shkaktoi një stuhi në mediat sociale pasi sugjeroi që ‘cari’ amerikan i Covid-19 Dr. Anthony Fauci duhet të hetohej dhe të ndiqej penalisht se kishte gënjyer nën betim për financimin e një laboratori në Wuhan në Kinë.

Në atë që fillimisht dukej thjesht si një batutë, Musk postoi gjithashtu një meme që tregonte kryekëshilltarin mjekësor në pension të Shtëpisë së Bardhë duke pëshpëritur ‘Edhe një bllokim tjetër, mbreti im’ në veshin e Presidentit Joe Biden.

Sidoqoftë, pasi emri i Fauci u ngjit në krye të tendencave të Twitter-it me mbi 600,000 përmendje, Musk me sa duket ndjeu nevojën për të sqaruar pse mendonte se Fauci, që ishte shefi i TASK FORCE-s së përgjigjes së SHBA-së ndaj pandemisë duhet të hetohej.

“Sa i përket Fauci-t, ai gënjeu Kongresin dhe financoi kërkime të fitimit të funksionit që vranë miliona njerëz.” – tha Musk në përgjigje të një kritiku.

Fauci, 81 vjeç, i cili planifikon të tërhiqet deri në fund të muajit, drejtoi përgjigjen e diskutueshme të Amerikës ndaj Covid-19, e cila u shënua nga polemika për çështje të tilla si efikasiteti i maskave dhe objektivat e imunitetit të tufës.

Menjëherë pasi Fauci njoftoi se do largohej nga posti i këshilltarit kryesor mjekësor të Biden dhe si drejtor i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive të NIH-së (NIAID), senatori amerikan Rand Paul kërkoi që administrata Biden të ruante dokumentet dhe mesazhet që mund të bëheshin prova në një hetim të mundshëm.

“Dorëheqja e Faucit nuk duhet të pengojë një hetim të plotë mbi origjinën e pandemisë. Atij duhet t’i kërkohet të dëshmojë nën betim në lidhje me çdo diskutim ku ai mori pjesë në lidhje me rrjedhjen e laboratorit në Wuhan. Politikat e tij shkatërruan jetë të shumta.” – shkroi Paul në Twitter.

Senatori më herët e ka akuzuarv  Fauci-n për përdorimin e fondeve publike për kërkime të funksionit të fituar në laboratorin e Wuhan-it, Kinë dhe se kishte gënjyer për këtë nën betim në dëshminë e Kongresit, pasi të dy u grindën në mënyrë të përsëritur në seancat dëgjimore të Senatit.

Fitimi i funksionit është modifikimi i patogjenëve për t’i përmirësuar ato në mënyra të ndryshme të mundshme, duke përfshirë transmetueshmërinë. Arsyeja është se shkencëtarët mund të studiojnë lloje të reja dhe të gjejnë mënyra për t’i ndaluar ato përpara se përshtatjet e ngjashme të shfaqen natyrshëm.

Teoria e ‘rrjedhjes së laboratorit’ – që koronavirusi doli nga një laborator kinez – u popullarizua nga ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili e bëri këtë pretendim mes një lufte tregtare me Kinën.

Organizatat e mëdha të medias amerikane dhe platformat e teknologjisë fillimisht e etiketuan atë si ‘dezinformim’ dhe u përpoqën ta censuronin teorinë nga diskutimi publik. Sidoqoftë, pasi Musk mori përsipër Twitter-in, kompania ndaloi zbatimin e ‘politikës së dezinformimit’ ndaj Covid-19.