Vendosni fjalën kyçe....

SHBA arreston të dyshuarin për bombardimin e avionit mbi Skoci në vitin 1988


Një operativ i zbulimit libian, i dyshuar për ndërtimin e bombës që u përdor për të hedhur në erë një avion amerikan pasagjerësh mbi Lockerbie të Skocisë në vitin 1988, është arrestuar nga FBI-ja dhe po ekstradohet për t’u gjykuar në Shtetet e Bashkuara, thanë zyrtarët të dielën.

Arrestimi i Abu Agela Mas’ud Kheir Al-Marimit erdhi pas një përpjekjeje prej disa dekadash të Departamentit të Drejtësisë për ta ndjekur atë penalisht. Dy vjet më parë, Prokurori i Përgjithshëm i atëhershëm William Barr shpalli akuza penale kundër Mas’udit, duke e akuzuar atë për ndërtimin e bombës që rrëzoi avionin Pan Am Flight 103, duke vrarë 259 personat në bord, mes tyre 190 amerikanë, si dhe duke shkaktuar 11 viktima të tjera në tokë, në vendin e rrëzimit, raporton VOA.

Avioni shpërtheu më 21 dhjetor të vitit 1988, mbi qytetin e vogël skocez, 38 minuta pasi u nis nga Londra me destinacion Nju Jorkun. Ai mbetet sulmi më vdekjeprurës në tokën britanike.

Detajet e kapjes së Mas’udit nuk dihen ende. Ai përballet me dy akuza penale, përfshirë shkatërrimin e një avioni me pasojë vdekjeprurëse. Kur Departamenti i Drejtësisë njoftoi për herë të parë akuzat kundër tij në vitin 2020, ai mbahej në një burg libian për krime që nuk kishin lidhje me incidentin, por nuk ishte e qartë se si qeveria amerikane negocioi ekstradimin e tij.

Autoritetet skoceze thanë në një deklaratë se familjeve të atyre që vdiqën u ishte thënë lajmi se Shtetet e Bashkuara e kanë Mas’udin në paraburgim. Në vitin 2001, Abdelbaset al-Megrahi u dënua për hedhjen në erë të avionit, i vetmi person që është shpallur fajtor për sulmin.

“Prokurorët dhe policia skoceze, duke punuar me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe kolegët amerikanë, do të vazhdojnë të ndjekin këtë hetim, me qëllimin e vetëm për të sjellë para drejtësisë ata që vepruan së bashku me al-Megrahin,” tha në një deklaratë Zyra e Kurorës dhe Prokuroria e Shërbimit Fiskal të Skocisë.

Roli i dyshuar i Mas’udit në sulmin me bombë në Lockerbie ishte fokusi i një dokumentari me tre pjesë “Frontline” në rrjetin televiziv amerikan PBS në vitin 2015. Seriali u shkrua dhe u realizua nga Ken Dornstein, vëllai i të cilit u vra në sulm.

“Nëse ka një person ende gjallë, që mund të tregojë historinë e hedhjes në erë të avionit Pan Am 103 dhe të sqarojë gjithë pikëpyetjet e ngritura gjatë dekadave, se si u krye saktësisht – dhe pse – ai është zoti Mas’ud,” shkroi zoti Dornstein në një email për gazetën The New York Times pasi mësoi për arrestimin e Mas’udit dhe ndjekjen e tij penale në Shtetet e Bashkuara. “Pyetja, mendoj, është nëse ai më në fund është i përgatitur të flasë”.

Mas’ud pranoi para një zyrtari libian të zbatimit të ligjit në vitin 2012 për përfshirjen e tij në sulm. Pasi hetuesit amerikanë mësuan për rrëfimin pesë vjet më vonë, ata intervistuan zyrtarin libian, gjë që çoi në ngritjen e akuzave. Nuk është e qartë, nëse rrëfimi i tij, i marrë në burg në Libinë e shkatërruar nga lufta, do të jetë i pranueshëm në një gjykatë amerikane.

Në intervistën me zyrtarët libianë, të kryer pas rënies së qeverisë së udhëhequr nga Moammar Gadafi, zyrtarët amerikanë thanë se Mas’udi pranoi se kishte ndërtuar bombën dhe kishte punuar me dy komplotistët e tjerë për të kryer sulmin. Sipas një deklarate të FBI-së të paraqitur për këtë rast, Mas’udi tha se operacioni ishte urdhëruar nga inteligjenca libiane dhe se Gadafi e falenderoi atë dhe anëtarët e ekipit pas bombardimit.

Mas’udi ka lindur në Tunizi, por ka nënshtetësi libiane. Ai ishte personi i tretë i akuzuar për bombardimin, së bashku me al-Megrahin dhe Al-Amin Khalifa Fhimahin, të cilët u akuzuan në vitin 1991. Por Libia i refuzoi kërkesat e SHBA-së dhe Britanisë për ekstradim.

Përfundimisht, ata u gjykuan në Holandë sipas ligjit skocez. Fhimah u shpall i pafajshëm dhe al-Megrahi u dënua me burgim të përjetshëm.

Në vitin 2009, për shkak të kundërshtimeve të familjeve të viktimave dhe të SHBA-së, përfshirë Presidentin Barack Obama, zyrtarët skocezë e liruan al-Megrahin, për arsye shëndetësore, pasi vuante nga kanceri. Ai vdiq në vitin 2012.

Prokurorët kanë thënë se Mas’udi udhëtoi për në Maltë, ku dorëzoi valixhen që kishte brenda bombën e përdorur në sulm. Në Maltë, prokurorët thanë se al-Megrahi dhe Fhimahi i thanë Mas’udit të vendoste një kohëmatës në pajisjen shpërthyese, në mënyrë që bomba të shpërthente kur avioni të ngrihej në fluturim të nesërmen.

Zyrtarët amerikanë thanë se Mas’udi do të dalë për herë të parë në një gjykatë në Uashington.