Vendosni fjalën kyçe....

Korridori 8 përfshihet në rrjetin kryesor Europian TEN-T, shanse financimi për hekurudha, porte e rrugë të reja


Korridori 8, një nyje rrugore dhe hekurudhore që nis në Brindisi ne Itali, kalon nëpërmjet Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe përfundon në portet e Bullgarisë, që nga 1 dhjetor 2022 është pjesë e rrjetit strategjik të transportit Europian (TEN-T) dhe jo më zgjatim i tij.

Pas një lobimi gati dy vjeçar të vendeve që përfitojnë nga projekti, Komuniteti i Transportit të BE-së ka dhënë miratimin në mbledhjen e fundit për përfshirjen e tij në rrjetin kryesor të transportit.

Adrian Haçkaj, Drejtor Kërkimi në Institutin për Kërkim dhe Zhvillim (ICD), një nga lobuesit e këtij projekti tha se për herë të parë infrastruktura e Ballkanit Perëndimor është pjesë integrale e korridoreve europiane dhe jo më si zgjatim.

Klasifikimi i Korridorit 8 në rrjetin kryesor Europian të transportit do të thotë se, deri në 40 për qind të projekteve të përzgjedhura mund të realizohen me grant dhe pjesa tjetër nga korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Haçkaj tha se, Korridori VIII ka rëndësi gjeostrategjike se kalon mes vendeve të NATO-s.

“Është Korridori i vetëm transversal në Europën Juglindore, mbyll unazën e Adriatikut, lidh Puglian me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë dhe del direkt në Varna dhe Burgas”.

Portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës parashikohen të luajnë një rol të madh në këtë kuadër të këtij Korridori të rëndësishëm Pan-Europian.

“Tashmë e rëndësishme është të përgatiten projekte të maturuara për hekurudhën dhe për portin e ri në Durrës”, thotë Haçkaj.

Ai shton se duke qenë pjesë e rrjetit strategjik të transportit europian, Korridori 8 futet në listën e aseteve të Bashkimit Europian dhe kjo do të ushtrojë presion dhe për transparencën në ndërtimin e Portit të Durrësit, pasi është në listën e projekteve strategjike e gjeopolitike, në të njëjtin nivel që është dhe gazsjellësi TAP, çka sipas Haçkaj është tepër e rëndësishme.

“Me këtë projekt mbyllim dhe pjesën rrugore të korridorit jugor, ndërsa me TAP u mbyll pjesa jugore e korridorit energjetik”.

Korridori VIII i përket Korridoreve Pan-Europiane të identifikuara dhe të përcaktuara në Konferencat Panevropiane mbi Transportin e mbajtur në Pragë (1991), Kretë (1994) dhe Helsinki (1997).

Që nga fillimi është konceptuar si një sistem transporti multi-modal që lidh Jugun e Italisë me Detin e Zi.

Ai përfshin portet detare dhe lumore, aeroportet, portet multi-modale, rrugët dhe hekurudhat, me një total prej 1270 km hekurudha dhe 960 km rrugë. Ai shkon nga portet jugore italiane të Barit dhe Brindizi në portet shqiptare të Durrësit dhe Vlorës, më pas përmes kryeqyteteve e Tiranës, Shkupit, Sofjes, përmes Plovdivit për të përfunduar në portet bullgare të Burgasit dhe Varna në Detin e Zi.

Një veçori shtesë e Korridorit VIII janë pikat fundore të tij, që të dyja janë porte detare duke lejuar lidhje të pandërprerë të BE-së dhe me rrjetin e transportit detar botëror.

Ai kalon nëpër vendet anëtare të NATO-s në të gjithë gjatësinë e tij. Në kontekstin aktual gjeopolitik, kjo specifikë e sigurisë e bën këtë aks mjaft strategjik për krahun jugor të NATO-s.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor