Vendosni fjalën kyçe....

“Pa merak ta mbyllim direkt” – Doganierët e Portit të Durrësit filmohen duke marrë ryshfet (Edhe vëllai i këshilltarit të Ramës)


Një skandal korrupsioni është denoncuar këtë të hënë nga televizioni “News 24”. Në një investigim, gazetarët e këtij televizioni kanë siguruar pamjet filmike nga disa raste të marrjes së ryshfetit në portin e Durrësit, sipas kësaj medieje “përveç korrupsionit flagrant cenohet siguria kombëtare dhe interesat e ligjshëm të shtetit, duke i lënë në duart e subjekteve private vulat zyrtare.”

Në videon e publikuar shihet shefi i turnit te sektori i eksporteve në portin e Durrësit, Drini Maxhari, që merr paratë nga subjektet private. Maxhari filmohet edhe në të paktën dy raste të tjera duke marrë ryshfet.

Po kështu, në këtë skemë është i përfshirë edhe doganieri i kontrollit fizik të importeve në portin e Durrësit, Skerdilajd Palnikaj. Ai është vëllai i Dritan Palnikaj, ish-sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme, ish-drejtor i Shërbimit të Brendshëm të Burgjeve dhe aktualisht këshilltar i kryeministrit Rama.

Palnikaj filmohet duke siguruar subjektin privat pas marrjes së ryshfetit se nuk do ketë pengesa në futjen e mallin në territorin shqiptar.

Sipas investigimit në fjalë, “është një rrjet i mirëfilltë i shtrirë në të gjitha strukturat e doganës, ku çdo hallkë e sistemit është e lidhur me njëra tjetrën në funksion të ryshfetit”. Të gjitha rastet e marrjes së ryshfetit bëhen nëpër zyra dhe sportele doganore, nën monitorimin e qindra kamerave të sigurisë, por të pashqetësuar doganierët marrin haptas paratë.

Biseda e filmuar me shefin e turnit tek eksportet Drini Manxharin:

Shefi i turnit te eksportet: Hajde mo këtu (merr lekët)

Qytetari: Për katër eksporte

Shefi i turnit te eksportet: OK

Qytetari: Mirupafshim!

 

Biseda e filmuar me Skerdilajd Palnikajn:

Doganieri Skerdilajd Palnikaj: Jepja letrat, ka shumë mundësi që do vish prapë te mua. (Afron dorën dhe merr paratë)

Qytetari: Mirëbesim

Doganieri Skerdilajd Palnikaj: Ok

Qytetari: Në rregull

Doganieri Skerdilajd Palnikaj: Po erdhe, pa merak ta mbyllim direkt.

Qytetari: Rrofsh!