Vendosni fjalën kyçe....

Një zarf me gjak dërgohet në ambasadën e Ukrainës në Greqi


Një zarf i përgjakur ka mbërritur mëngjesin e sotëm në ambasadën e Ukrainës në Greqi.

Lajmi është bërë publik nga përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme, Oleg Nikolenko.

“Në mëngjes, në ambasadën e Ukrainës në Greqi mbërriti një pako me gjak. Adresa e dërguesit është e njëjtë si në pjesën tjetër të zarfeve që kanë mbërritur më parë në ambasadat dhe konsullatat e Ukrainës: shitësi i makinave Tesla në qytetin gjerman të Sindelfingen. Policia greke ka nisur veprimet hetimore.”- shkruan Nikolenko në një postim në Facebook.

Nikolenko shtoi se pala ukrainase pret gjithashtu një përshpejtim të hetimeve nga policia gjermane.

Siç shkruan gazeta greke Protothema, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme bëri të ditur se gjithsej 33 raste kërcënimesh janë regjistruar tashmë në 17 shtete: 1 tentativë për sulm terrorist, 2 raportime për mina tokësore, 1 rast vandalizmi, 1 rast kërcënimi me shkrim dhe 28 pako me gjak.

“Siç tha Dmytro Kuleba, sado të përpiqen armiqtë të frikësojnë diplomacinë ukrainase, ata nuk do të kenë sukses. Po punojmë për fitore.”– theksoi Nikolenko.

Më 30 nëntor ka ndodhur një shpërthim në ambasadën e Ukrainës në Madrid. Ku një punonjës i ambasadës mbeti i plagosur. Pas kësaj, në ambasadat dhe konsullatat e Ukrainës në pjesën tjetër të Evropës filluan të mbërrijnë pako të lyera me gjak si dhe me sy kafshësh brenda.