Vendosni fjalën kyçe....

Edhe Meta dënon sulmet në veri të Kosovës: Të shmanget çdo formë tensioni që minon sigurinë dhe rrezikon paqen


Sulmet në veri të Kosovës janë dënuar edhe nga kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta.

Në një postim në rrjetet sociale, ish-presidenti Meta i konsideron të papranueshme aktet e dhunës dhe sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar.

Ai bën apel për shmangien e çdo provokimi dhe në veçanti të përshkallëzimit të çdo forme tensioni që minon sigurinë në Kosovë.

“Dënoj me ashpërsinë më të madhe aktet e papranueshme të dhunës dhe sulmet e armatosura ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar në Veri të Republikës së Kosovës dhe u bëj thirrje institucioneve të drejtësisë të venë sa më parë para drejtësisë autorët e tyre.

Apeloj fuqimisht domosdoshmërinë e shmangies së çdo provokimi dhe në veçanti të përshkallëzimit të çdo forme tensioni që minon sigurinë në Kosovë dhe që rrezikon paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.”– shkruan Meta.

Ky reagim vjen pasi më herët EULEX njoftoi se kishin hedhur një bombë ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudare të Kosovës.

Për fat të mirë nga ky incident nuk njerëz të lënduar e as dëme materiale.

EULEX i konsideron të papranueshme këto sulme si ky por edhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës dhe u bën apel të gjithëve të përmbahen nga veprimet provokuese.