Vendosni fjalën kyçe....

Eliot Engel: Trump po favorizon padrejtësisht Serbinë në dëm të Kosovës


Kongresmeni Eliot Engel ndërsa flet në Kapitol Hill në Uashington, D.C (27 Mars 2019).

Kongresmeni amerikan Eliot L. Engel,  beson se administrata e presidentit Donald Trump, po favorizon Serbinë duke dëmtuar Kosovën.

Engel, i cili është kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve, thotë se administrata e Trump-it është bërë shkaktare e rrëzimit të qeverisë së Kosovës në kohë pandemie.

Ai ka deklaruar dje në Kongres, se SHBA-ja në vend që të linte qeverinë e re të Kosovës përballej me pandeminë, kontribuoi në një krizë politike në Prishtinë mbi tarifat për Serbinë.

“Të thuash që Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë një marrëdhënie të ngrohtë dhe të ngushtë do të ishte një nënvlerësim për thellësinë e lidhjeve tona. Shtetet e Bashkuara drejtuan fushatën për t’i dhënë fund spastrimit etnik gjenocidal të Milosheviçit dhe ka qenë miku më i fuqishëm dhe i qëndrueshëm i Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës. Unë e kam vizituar Kosovën shumë herë dhe besimplotë mund të them se Amerikanët nuk marrin një mirëseardhje më të ngrohtë në asnjë vend tjetër në botë sesa atje.

Unë kam qenë gjithnjë krenar që jam partner i qeverive së Kosovës të udhëhequr prej disa partive politike. Unë nuk marr anën e askujt se kush duhet ta drejtojë Kosovën. Ky është një vendim për popullin e Kosovës. Unë gjithmonë do të punoj me këdo që ata zgjedhin.

Kjo është arsyeja pse unë jam shqetësuar gjithnjë e më shumë me taktikat e duarve të rënda që administrata Trump po përdor me Prishtinën. Departamenti i Shtetit ka kërkuar prej kohësh që Kosova të heqë tarifat e saja ndaj Serbisë. Por kjo administratë iu drejtua ndëshkimeve ekonomike vetëm disa javë pasi qeveria Kurti mori detyrën. Në vend që të linte një qeveri të re të përballej me një gjendje pandemie, të plotësonte agjencitë e saj dhe të rregullonte procedurat e brendshme, SHBA-ja kontribuoi në një krizë politike në Prishtinë mbi tarifat për Serbinë.”- tha Engel.

Edhe pse ai vetë beson se ka disa arsye që pse Kosova duhet të heqë taksën ndaj Serbisë, Engel i kujton Trump-it se qeveria e Kosovës nuk kishte bërë asgjë ndryshe në krahasim me ato që kishte bërë vetë ai.

Kongresmeni përmend taksat që SHBA-ja i ka vendosur vendeve të tjera për qëllime politike apo ekonomike.

“Ka arsye të vërteta që Kosova të heqë tarifat, kryesisht se ata po dëmtojnë Kosovën më shumë sesa shërbejnë si një mjet për të arritur një marrëveshje paqeje me Serbinë. Megjithatë, tarifat janë një mjet i ligjshëm i një kombi sovran. Si të tilla, ato janë imponuar në të gjithë botën nga Presidenti Trump kundër miqve dhe armiqve, pa dallim, për arsye ekonomike dhe politike.

Në vend që të përdorin taktika mbivendosëse me një mik i cili varet në mbështetjen tonë, Shtetet e Bashkuara duhet të kishin punuar me durim me qeverinë e Kosovës, e cila tani po largohet – ashtu siç kërkonte të punonte me qeverinë e mëparshme të Kosovës – për të përmirësuar politikat që promovojnë prosperitetin dhe një paqe të qëndrueshme. Ti tregosh forcën një demokracie të vogël është akti i një bullisti, jo i një partneri të matur. Megjithatë, unë do të vazhdoj të punoj me çfarëdo qeverie që zgjedh populli i Kosovës tani dhe në të ardhmen.”- vijon kongresmeni amerikan.

Engel thotë se diplomatët serbë kanë bërë vazhdimisht presione për të kthyer njohjen e Kosovës nga shtetet e tjera, thotë gjithashtu se Serbia po blen armë nga Moska, por SHBA-ja nuk i ka vënë sanksione për këtë edhe pse ligji thotë ndryshe.

“Për më tepër, presioni që i është imponuar Prishtinës për heqjen e tarifave është i pabalancuar. Diplomatët serbë po kalojnë vend pas vendi në mbarë globin duke u bërë presione për ta kthyer njohjen që u kanë bërë Kosovës, dhe Serbia po thellon marrëdhëniet me Moskën dhe po blen sasi të konsiderueshme të armëve ruse. Në fakt, nën Ligjin e Kundërshtimit të Armiqve të Amerikës Përmes Sanksioneve (CAATSA) të miratuar nga Kongresi pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, këto blerje të armëve kërkojnë nga Administrata të vendosë sanksione ndaj Serbisë. Ne as i kemi vënë ato sanksione dhe as nuk kemi shpenzuar energji ndaj Serbinë për t’i dhënë fund përpjekjeve të saj ndaj vendeve të tjera për ta çbërë njohjen e Kosovës.”- thotë Engel.

Ai shton se: “Kur ligji amerikan thotë se duhet të sanksionojmë Serbinë për shkak të lidhjeve të saj të sigurisë me Rusinë, ne duhet ta bëjmë këtë.”

Në fund, kongresmeni i bën thirrje administratës së Donald Trump-it, që të korrigjojë qasjen ndaj Kosovës, dhe t’i trajtojë të dyja vendet e Ballkanit Perëndimor si partnerë të pavarur dhe sovranë, duke zbatuar standarde të qëndrueshme për të dy palët teksa rinisin bisedimet e paqes./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *