Vendosni fjalën kyçe....

Përplasja me armë mes demokratëve në Kurbin, Berisha: Janë marrë masa disiplinore


Në konferencën e sotme me gazetarët, ish-kryeministri Sali Berisha u ndal te përplasja e dy demokratëve në degën e PD-së në Kurbin.

Berisha tha se është marrë masë disiplionore ndaj dy personave të përfshirë. Ndërsa paralajmëroi kandidatët se gabojnë rëndë nëse mendojnë se ka mënyra të tjera për të fituar përveç votës.

 “Ka patur një problem serioz në degën e Kurbinit, Komisioni Elektoral i PD ka vendosur masa disiplinore ndaj dy kandidatëve. Cilido që mendon për mënyra të tjera përveç votës gabon shumë rëndë, shkelmon vullnetin e tij dhe të gjithë demokratëve që duan të votojnë e të bëhen shembull me këtë proces demokratik. Me datën 4 dhjetor janë primaret, ftoj të gjithë kandidatët, të gjitha degët të bëjnë të mundur organizimin e një procesi transparent, të dorëzohet lista e kandidatëve aty ku nuk është bërë.

Ky proces bazohet në votimin e anëtarëve dhe simpatizantëve për të minimizuar në një shkallë të caktuar ndikimet e njëanshme të tërësisë së anëtarëve, kandidatëve u janë dhënë formularë, e drejta për t’i tërhequr dhe për të inkurajuar simpatizantët që të regjistrohen, Në tërësi ka ecur mirë, ka pasur raste sporadike që kanë thënë ky është socialist etij, mirë nuk është por edhe krejtësisht apriori s’mund ta hedhës poshtë. Nëse vendos të më votosh, se kuptoj pse nuk vjen të më votosh. Janë të kufizuara dhe nuk ndikojnë në rezultate.

Nuk e kam numrin e simpatizantëve s’kam shifra. Për Tiranën e dini ju më mirë se kushdo tjetër, gara është ndër më të civilizuarat, Se kush është i favorizuar nuk e them sepse nuk e di, do e tregojë dita e dielë. Cilido paragjykimi nuk shërben, duhet të falënderoj të 7 kandidatë e Tiranës që me të vërtetë u bënë imazhi i kësaj gare, ishte një sukses si vërtetë. Është garanci për fitoren e 14 majit.”– tha Berisha.

Lidhur me protestën e 6 dhjetorit, Berisha thotë se protesta do të bëhet por do shmanget dhuna.

 “Ne do zbatojmë Kushtetutën. Kemi shpallur protestën tonë në Bulevard, ashtu na lë kushtetuta. Edi Rama, kërkon përballje ne do përpiqemi ta shmangemi atë ditë, por mund t’ia rezervojmë kur të dojë. Nëse e kërkon, është punë e tij. Populli opozitar po përgatitet mirë për përgjigjen që ai meriton.”- tha Berisha.