Vendosni fjalën kyçe....

Kina nis lehtësimin e masave anti-Covid pas protestave masive


Kina ka lehtësuar disa kufizime të vendosura si masë kundër Covid-19, pavarësisht numrit të lartë ditor të rasteve. Kjo pas protestave masive të javëve të fundit kundër politikës zero-Covid.

Sipas BBC-së, dhjetra rrethe në Shangai dhe Guangzhou u liruan nga masat e bllokimit të enjten.

Zëvendëskryeministri i vendit njoftoi gjithashtu se vendi po përballet me një “situatë të re”.

Trazirat u shkaktuan nga një zjarr në një ndërtesë në rajonin perëndimor të Xinjiang që vrau 10 njerëz javën e kaluar. Shumë kinezë besojnë se kufizimet e gjata e të rrepta në qytet kontribuan në këto vdekje, megjithëse autoritetet e mohojnë këtë.

Kjo çoi në ditë protestash të shumta nëpër qytete të ndryshme, të cilat që atëherë janë zbehur mes një pranie të madhe policie.

 

Kufizimet në qytetet kryesore si Guangzhou u hoqën papritur të mërkurën, disa orë pasi qyteti pa protesta të dhunshme që rezultuan në përleshje midis policisë dhe protestuesve.

Një komunitet në Pekin gjithashtu lejoi që rastet e Covid me simptoma të buta të izoloheshin në shtëpi, shumë larg protokolleve të rrepta që u zbatuan sipas Reuters në fillim të këtij viti ku ndërtesa dhe komunitete të tëra u mbyllën ndonjëherë si rezultat i vetëm një rasti pozitiv.

Qytetet e tjera të mëdha si Shangai dhe Chongqing gjithashtu panë një zbutje të rregullave.

Një nga zyrtarët më të lartë të pandemisë në Kinë, zëvendëskryeministrja Sun Chunlan, tha se aftësia e virusit për të shkaktuar sëmundje po dobësohej.

“Vendi po përballet me një situatë të re dhe detyra të reja në parandalimin dhe kontrollin e epidemisë, pasi patogjeniteti i virusit Omicron po dobësohet, më shumë njerëz janë vaksinuar dhe është grumbulluar përvoja në kontrollimin e virusit.“- tha ajo, sipas një raporti të Reuters.

Kina ka regjistruar ditët e fundit numrin e saj më të lartë të rasteve të përditshme me Covid që nga fillimi i pandemisë, me më shumë se 36 mijë raste të regjistruara të mërkurën.

Sidoqoftë, numrat janë ende të vegjël për një vend me 1.4 miliardë banorë dhe zyrtarisht pak më shumë se 5 mijë e 200 kanë vdekur që nga fillimi i pandemisë.