Vendosni fjalën kyçe....

Parlamenti Evropian ka ‘bërë shumë dëme’, u bë mjet politik i së majtës – Eurodeputeti


Parlamenti Evropian ‘ka bërë shumë dëme në Evropë’, tha të martën kreu i një grupi parlamentar.

Ryszard Legutko, i cili drejton Konservatorët dhe Reformistët Evropianë (ECR), kritikoi legjislaturën e BE-së për atë që ai e quajti ‘partizëm të paturpshëm’.

“E vërteta e hidhur është se Parlamenti Evropian ka bërë shumë dëme në Evropë.” – tha Legutko në një ceremoni të mbajtur për të shënuar 70-vjetorin e Parlamentit Evropian.

“Parlamenti e infektoi Evropën duke u bërë mjet politik i së majtës e infeksioni është bërë aq ngjitës sa është përhapur në institucione të tjera, si Komisioni Evropian.” – shtoi ai.

Vërejtjet e tij të ashpra ishin në kontrast të fortë me fjalimet e disa liderëve, duke përfshirë kryeministrin belg Alexander De Croo, kryeministrin e Luksemburgut Xavier Bettel dhe kryeministren franceze Elisabeth Borne, të cilët përshëndetën PE-në dhe theksuan rëndësinë e tij për Evropën.

Legutko akuzoi gjithashtu Parlamentin Evropian se u bë “një mjet politik i së majtës”.

“Quajeni si të doni, po kjo nuk është demokraci.” – tha ai, duke marrë duartrokitje nga pjesë të caktuara të audiencës dhe tallje nga të tjerët.

“Për ta përmbledhur, Parlamenti përfaqëson popullin që nuk ekziston, punon për projektin që injoron realitetin dhe ligjin, i shmanget llogaridhënies, u kthen shpinën miliona njerëzve dhe i shërben interesit të një orientimi politik.” – përfundoi ai.